Dy deputetë të Unionit Kristian-Demokrat (CDU) janë shprehur se “diskutimet për shkëmbime territoriale mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të rrezikshme”.
Peter Beyer dhe Christian Shmidt, deputetë të CDU-së në Bundestag, të cilët prej së mërkurës po vizitojnë zyrtarisht Prishtinën, analizuan në një konferencë për shtyp në ambasadën gjermane situatën politike që po kalon Kosova.
Mediat lokale raportojnë se deputetët gjermanë e cilësuan jo të lehtë rrugën e Kosovës për në BE nëse vazhdohet me diskutime të tilla si ideja për shkëmbime territoresh.
“[…] për politikën e jashtme janë disa tema që i konsiderojmë të rëndësishme. Kjo ka të bëjë me atë që rrugën e Kosovës drejt BE-së nuk e konsiderojmë duke u diskutuar për shkëmbime territoriale, pasi atë e konsiderojmë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ne në Gjermani e mbështesim për anëtarësim edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.” – tha Christian Shmidt.
Beyer dhe Shmidt janë takuar me drejtuesit e partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Kurti e Mustafa të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata i kanë kërkuar që të mos bllokojnë njëra-tjetrën, por të bashkëpunojnë për të zgjidhur çështjen e qeverisjes me synimin që vitin e ardhshëm Kosova të mund të avancojë dhe të meritojë heqjen e vizave për në BE.