
Ndeshja për Kupën e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Skënderbeut u zhvillua sot në stadiumin “Air Albania” në praninë e 1 mijë tifozëve megjithëse kthimi i futbolldashësve në ishte vendosur pas datës 1 korrik nga Komiteti i Ekspertëve.
Deputetja e zgjedhur e PS në Shkodër, Edona Bilali ka zbuluar përmes Facebook, se ajo i ka kërkuar kryeministrit Rama t’i lejonte pjesmarrjen e publikun në stadium për këtë ndeshje.
“E kërkuam dhe na u pranua ndaj një falenderim special që nuk thotë kurrë “Jo” për Shkodrën”, shkruan Bilali.
Ajo shton se pjesë e vendimarrjes për bërjen e këtij përjashtimi ka qenë edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Më herët ka qenë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, që i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë, zhvillimin e ndeshjes në stadium me tifozë sa 30% e kapacitetit.
Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi javën e kaluar që pas 1 korrikut do të lejohen kampionatet sportive me prezence të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP.
Kryeministri Rama bëri gjithashtu apel se nuk duhet të biem në kurthin e euforisë kur komentoi vendimin e Komitetit për mos hequr orën policore.