Kultivimi i kanabisit përvese është një krim shkakton dhe probleme të rënda sociale. Për herë të parë dikush ka dëshmuar konkretisht skllavërinë që sjell kultivimi i drogës. Klodian Ferko nga Fieri, një njeri i varfër që mundohet ta mbajë familjen me punë në ndërtim, ka dëshmuar, përpara kryeministrisë, përjetimin e tij. Ai tregoi se shumë shokë përfunduan në burg ndërkohë që ai vendosi ndryshe, mendoi për të ardhmen e fëmijës.
“Shokët e mi lamë punën në ndërtim dhe shkuan drejt maleve për të mbjellë drogë. Dhe mua mu ofrua kjo punë. Por çfarë ndodhi: ata u zhgënyen aq shumë dhe më vjen keq për ta. Disa përfunduan në burg. Unë nuk e pranova dhe nuk kam ndërmend ta pranoj. Sepse fëmija im dua që të rritet i ndershëm, me edukatë, me moral të lartë. Nuk dua që nesër pasnesër të thonë që ai fëmijë e ka babain drogmen.”
Klodian Ferko shpjegon dhe arsyen pse iu bashkangjit protestës së opozitës.
“Nuk kam besim tek Policia e Shtetit prandaj e denoncoj këtë në mënyrë publike, që ta ndalojmë sëbashku. Fëmija im ku do të rritet nesër? Nuk dua që fëmija im të jetë viktimë e këtij fenomeni të drogës. Dua që të rritet në mënyrë të ndershme”.
Klodian Ferko dhe shokët e tij nuk janë të vetmit që merren me kultivimin e kanabisit. Historia e tij konkrete dëshmon se si po skllavërohen njerëzit e varfër nga kanabisi çdo ditë e më shumë.