Dështon investimi i pretenduar prej €5 miliardë në Karpen

Dështon investimi i pretenduar prej €5 miliardë në Karpen

Ashtu siç Exit kishte paralajmëruar, Qeveria Rama nuk do ta realizojë projektin 5 miliardë euro për ndërtimin e një zone ekonomike, përfshi dhe një port, në Karpen të Kavajës.

Sipas Monitor, Qeveria Rama ka dështuar  të arrijë dakordësinë me kompaninë Star Bridge Port Developments Limited, që do të ndërtonte një port, një kompleks rezidencial, një impiant të rigazifikimit të gazit të lëngshëm, një termocentral, një serë teknologjike dhe një akademi sportive. Të gjitha do të ndërtoheshin në një hapësirë prej 1 700 hektarësh dhe do të kushtonin 5 miliardë euro.

Edhe pse ende nuk dihen arsyet që çuan në dështimin e bisedimeve, që prej fillimit, projekti për Karpenin linte vend për dyshime dhe Qeveria Rama nuk bëri asnjë informacion transparent.

Qeveria miratoi në Kuvend projektligjin për këtë projekt, të titulluar Morgan, në mesnatën e 22 korrikut 2016, pa asnjë debat, duke përfituar nga rrëmuja e shkaktuar nga votimi i reformës në drejtësi.

Pa bërë asnjë studim bëshmërie dhe pa dhënë asnjë detaj për qytetarët, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Transporteve dhe Ministria e Energjisë e reklamuan projektin si investimin më të madh të Qeverisë Rama, 5 miliardë euro, sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë ose gati sa gjithë investimet e huaja më vend gjatë 7 viteve të fundit.

Projekti do të përfundonte se ndërtuari për 5 deri në 10 vjet dhe do të krijonte gati 6 mijë vende pune gjatë fazës së ndërtimit, dhe do të punësonte mbi 70 mijë persona kur të futej në operim.

Një nga arsyet pse Exit paralajmëroi dështimin e këtij investimi ishte pabesueshmëria e kompanisë së cilës Qeveria Rama po i besonte.

Kompania Star Bridge Port Developments Limited është një kompani nga rafti—një shoqëri që ka adresë një kuti postare, e cila në Mbretërinë e Bashkuar blihet për pak qindra paundë nga shoqëritë juridike që krijojnë mijëra kompani të tilla të gatshme. Ajo është themeluar me një kapital minimal prej 100 paund nga dy ortakë të cilët më 26 korrik 2016 ia shitën atë një shoqërie në Singapor, të quajtur One Gate PTE ltd, e cila është gjithashtu një tjetër kompani e regjistruar me adresë një kuti postare. Për kompaninë singaporiane nuk ka më asnjë të dhënë tjetër. Pra, kemi të bëjmë me një model kompanish që kontrollojnë kompani që kontrollohen nga kompani offshore.

Relacioni që shoqëronte projektligjin nuk i referohej asnjë dokumenti qeveritar të planifikimit strategjik për transportin apo energjinë dhe as strategjisë së bregdetit, të paraqitur nga ish-ministrja Gjermeni. Në fakt, asnjë dokument, strategji apo plan qeveritar nuk parashikonte  ndonjë ndërhyrje të këtij lloji.

Më shumë për projektin e Karpenit mund të lexoni këtu dhe këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>