66 për qind e sipërmarrësve mendojnë se klima e të bërit biznes në Shqipëri është e keqe dhe është përkeqësuar në vitin e fundit.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka prezantuar të hënën gjetjet e Indeksit të përvitshëm të Biznesit, ku morën pjesë 70 për qind e 222 kompanive pjesë e Dhomës së Tregtisë. Prezantimi u bë nga Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaco.
Indeksi mat perceptimin e sipërmarrësve mbi klimën e të bërit biznes në Shqipëri.
Kompanitë që kanë marrë pjesë janë të sektorëve të ndryshëm si turizëm, banka, ndërtim, prodhim, etj.
Sondazhi mbulon vitin 2019 dhe nuk përfshin periudhën e pandemisë së Covid-19.
Gjetjet kryesore të sondazhit janë:
– 66 për qind e biznesee mendojnë se klima e të bërit biznes në Shqipëri është e keqe.
– Krahasuar me një vit më parë, është dyfishuar numri i bizneseve që mendojnë se klima është përkeqësuar.
– Problemet kryesore të bizneseve janë klima politike, krijimi i monopoleve në treg, tregtia e pandershme, mungesa e stafit të kualifikuar dhe performanca e përgjithshme e dobët e ekonomisë.
– Problemi kryesor i bizneseve është klima e keqe politike. Sipërmarrësit e shohin me risk të lartë për biznesin e tyre, një vend me luhatje dhe probleme politike.
– Problemi tjetër kryesor është prania e monopoleve dhe tregtia e pandershme, situata me të cilat vazhdon të përkeqësohet në 8 vitet e fundit.
– Treguesi i vlerësuar më mirë nga bizneset, ai është furnizimi me energji elektrike, i cili nga viti në vit është përmirësuar.
– Pavarësisht problemeve, shumica e sipërmarrësve e shohin me optimizëm të ardhmen në Shqipëri dhe kërkojnë ndërmarrjen e reformave dhe politikave që përmirësojnë klimën e të bërit biznes.