Dhuna në derbi, Tirana e Partizani dënohen me gjobë dhe ndeshje pa tifozë

Nga Erblin Vukaj
Dhuna në derbi, Tirana e Partizani dënohen me gjobë dhe ndeshje pa tifozë

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) gjobiti dhe dënoi sot Tiranën dhe Partizanin që të luajnë pa tifozë ndeshjet e ardhshme, ndërsa shpalli ndalim të përhershëm të hyrjes në stadiume të 8 tifozëve.

Klubi i Tiranës u dënua me 4 ndeshje pa tifozë dhe gjobë 500 mijë lekë, ndërsa Partizani me 2 ndeshje dhe gjobë 100 mijë lekë.

Vendimi vjen pas përplasjeve të dhunshme mes tifozëve që ndodhën gjatë derbit Tirana (1-2) Partizani më 29 shtator.

FSHF e detyron Tiranën që të mbyllë për gjithë sezonin sektorin G3 të stadiumit Selman Stërmasi, sektor ku zakonisht vendoset tifogrupi Capital Crew, i cili ngriti banderolën fyese me katër persona të varur në litarë dhe u përfshi në përleshjen me tifozët e Partizanit.

Dënimi për të luajtur pa tifozë do të zbatohet që në ndeshjet e sotme të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ku Tirana pret Shënkollin në Selman Stërmasi dhe Partizani Vorën në kompleksin Tirana Internacional në Pezë Helmës

Banderola fyese e ngritur nga tifozë të Tiranës në derbin me Partizanin.

Tetë tifozëve që u ndalohet hyrja në stadiume janë: Elton Bande, Getard Çeliku, Mateos Majani, Aksel Manxhari, Thanas Bendo, Gentian Qosja, Bledar Luga dhe Alban Rexha.

Rexha, ish-futbollist, është një nga tifozët më aktiv në grupet ultras të Tiranës. Përplasja mes tifozerive dhe përdorimi i lëndëve plasëse po hetohet nga policia, e cila deri më tani ka arrestuar 9 persona.

Tirana nuk fiton derbin me Partizanin që prej vitit 2014. Pas humbjes të dielën zbriti në vendin e 3. Njëzetë e katër herë kampionët e Shqipërisë kanë 10 pikë, po aq sa Partizani i vendit të 5.

Kampionati kryesohet aktualisht nga Bylisi me 11 pikë. Klubi nga Ballshi u ngjit vetëm këtë vit në Superiore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>