Grupimi Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka biseduar, të mërkurën, me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, si pjesë e një sërë takimesh me liderët politikë.
Në takimin virtual, tema kryesore ishte votimi i emigrantëve, një e drejtë kushtetuese që i takon çdo qytetari, pavarësisht nga vendbanimi.
Pjestarët e DSHL-së, kryesisht të rinj të arsimuar dhe formuar profesionalisht në Europë e SHBA, shprehën gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën e nevojshme ligjore dhe teknike për ta bërë votën e emigrantëve realitet sa më parë.
DSHL dhe Basha diskutuan dhe për aktualitetin politik shqiptar dhe zhvillimet në Këshillin Politik, e veçanërisht rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe përfaqësimin e diasporës në zgjedhjet e 25 prillit.
Basha, në emër të opozitë, mirëpriti angazhimin e diasporës për të qenë aktive në proceset vendimmarrëse në Shqipëri, si dhe u zotua jo vetëm për realizimin e votës së diasporës, por edhe për përfaqësimin e saj.
Ndër të tjera, Basha ndau të njëjtin shqetësim me lëvizjen, për sa i përket emërimit të ish-titullarëve partiakë socialistë në pozicionin e oficerëve koordinues të diasporës, për të cilën mund të lexoni më tepër këtu.