Diaspora mund të votojë përmes postës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por si projekt pilot, në një zonë të caktuar.
“Unë kam besim se në një mënyrë apo tjetër mund të hyjmë në këtë proces, qoftë edhe me një projekt, zonë, votim, projekt pilot”, tha Kryeministri Edi Rama, të henën, në një konference online me Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar “Votën e Diasporës në Reformën Zgjedhore.
Kryeministri sqaroi se e vetmja mundësi është votimi me postë, “por ka gjëra që lidhen me regjistrimin, jo vetëm në Shqipëri, por vendin ku është”.
“Është një proces që kërkon kohë, jemi duke punuar cdo ditë. Jemi duke punuar për një opsion elektronik të regjistrimit, përputhshmërie mes listës së votuesve që gjenerohet nga regjistri i gjendjes civile dhe personave të regjistruar, por jemi herët të themi se kjo gjë mund të realizohet”, sqaroi Rama.