Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Lelu, nuk mundi të shkojë sot në zyrë me makinën e tij të punës. Policia njoftoi se ajo i qe djegur në mëngjes në rrugën Lef Sallata, rreth 2 kilometra larg stacionit qendror të policisë.
Ngjarja ndodhi në orën 04:26. Shoferi personal i kryebashkiakut Leli e kishte parkuar makinën pranë shtëpisë së tij. Policia nuk ka dhënë shumë detaje nëse ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme apo jo, por prej flakëve është djegur edhe një automjet tjetër i parkuar pranë.
Mediat kanë raportuar se të dy autmjetet “u shkrumbuan“, fakt ky që nënkupton se flakët kanë qenë të mëdha.
Burime për gazetarin Enrik Mehmeti të News24 thanë se kishte dyshime që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm.
Kryebashkiaku Leli lëvizte me automjet tip Range Rover, i cili ishte në pronësi të Bashkisë Vlorë.
Së fundmi në Vlorë ka patur përplasje për shkak të projektit Lungomare 2 që nis nga tuneli i Ujit të Ftohtë e deri në Radhimë. Projekti në fjalë është zgjatim i Lungomares dhe kap koston e 4 milionë eurove. Gjurma e saj kalon mbi disa ndërtime, prishja e së cilave ka përplasur pronarët e tyre me policinë dhe Bashkinë.
Ka patur pretendime se prishjet janë kryer në mënyrë selektive dhe pa lajmërime dhe pa një projekt të zbardhur. Këto pretendime kryebashkiaku i ka hedhur poshtë:
“Objektet që janë duke u prishur nga Vlora deri në Orikum janë të gjitha pa leje. Nuk po cenohet asnjë objekt i pajisur me leje. Objektet me leje, do t’i nënshtrohen procedurave ligjore, ashtu si ligji parashikon”.
Në Vlorë së fundmi ka patur edhe probleme me pronat. Tre drejtorë hipoteke dhanë dorëheqjen vetëm muajin e fundit, ndërsa mediat kanë nxjerrë në pah se shkak i këtyre dorëheqjeve ka qenë konflikti për pronën e një resorti turistik.