Doing Business 2018: Përkeqësohet klima e të bërit biznes në Shqipëri – Exit shpjegon

Doing Business 2018: Përkeqësohet klima e të bërit biznes në Shqipëri – Exit shpjegon

Klima e të bërit biznes në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Përfundimi del nga raporti i përvitshëm i Bankës Botërore “Doing Business 2018”,  që ka vlerësuar faktorёt qё lehtёsojnё ose pengojnё biznesin nё 190 vende tё botёs pёr periudhën Qershor 2016–Qershor 2017.

Shqipëria renditet këtë vit në vend të 65-të në botë, duke humbur 7 vende krahasuar me një vit më parë, kur renditej në vend të 58-të.

Shqipëria, po ashtu, është shumë prapa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në drejtim të lehtësimit të të bërit biznes dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Në Ballkan, Shqipëria lë pas vetëm Bosnjen, ndërsa vendet e tjera paraqiten shumë herë më mirë në renditje: Maqedonia ka renditjen më të mirë në Ballkan, në vend të 11; Kosova në vend të 40, Mali i Zi 42 dhe Serbia 43.

Pavarësisht se raporti vëzhgon vetëm dhjetë faktorët dhe lë jashtë shumë të tjerë, ai ndikon deri diku në imazhin ndërkombëtar të një vendi për të tërhequr investitorë të huaj. Kjo ka bërë që shumë qeveri, kryesisht të vendeve në zhvillim, të ndërmarrin reforma vetëm për ato indikatorë që raporti vëzhgon, duke lënë pas dore faktorë të tjerë që ndikojnë klimën e biznesit.

Në Shqipëri, raporti është përqendruar vetëm në qytetin e Tiranës.

Më poshtë po përmbledhim pikat kryesore të raportit për Shqipërinë dhe vlerësimet për të dhjetë faktorët:

 – Për nisjen e një biznesi, Shqipëria renditet e 45-ta mes 190 vendeve. Për këtë faktor merren parasysh kohëzgjatja dhe pagesat e nevojshme për të hapur një biznes. Nuk shqyrtohen, procedurat për të mbyllur një aktivitet.

 – Për lejet e ndërtimit, Shqipëria renditet e 106-ta mes 190 vendeve, njësoj si një vit më parë. Megjithëse, gjatë këtij viti, ndërtimi ka marrë një hov të madh me qindra leje të reja ndërtimi, ky faktor është ndër më keqvlerësuarit nga raporti.

 – Për sigurimin e energjisë elektrike, Shqipëria renditet e 157-ta mes 190 vendeve, duke humbur një pozicion krahasuar me një vit më parë. Raporti vlerëson vetëm lehtësinë me të cilën mund të merret një lidhje e re për energjinë dhe jo mbulimin apo pagimin e faturave.

 – Për regjistrimin e pasurive, Shqipëria renditet e 103-ta mes 190 vendeve dhe e fundit në rajon. Për këtë tregues merren në shqyrtim procedurat për regjistrimin e pasurive, cilësia e sistemeve të administrimit të tokës, si dhe kostot dhe koha që duhet për transferimin e pronave.

 – Për marrjen e kredive, Shqipëria renditet e 42-ta mes 190 vendeve dhe e parafundit në rajon, duke përmirësuar pozitën e saj me dy pozicione, krahasuar më një vit më parë. Raporti vlerëson kuadrin ligjor për transaksionet dhe nëse ligjet për falimentimin apo kolateralin e lehtësojnë apo vështirësojnë procesin e marrjes së kredive nga bizneset.

 – Për mbrojtjen e aksionerëve të vegjël, Shqipëria renditet e 20-ta mes 190 vendeve, duke humbur një pozicion krahasuar me një vit më parë. Gjithsesi, ky është treguesi në të cilën Shqipëria ka është vlerësuar më lartë nga të gjithë.

 – Për pagimin e taksave, Shqipëria renditet e 125-ta mes 190 vendeve, duke humbur 28 vende krahasuar me një vit më parë. Ky është treguesi ku Shqipëria është vlerësuar më dobët nga të gjithë. Raporti mat numrin e taksave që një biznes duhet të paguajë në vit, procedurat, kohën dhe kostot e përgjithshme. Krahasuar me vitin e kaluar Shqipëria e ka bërë më të lehtë pagesën e taksave duke futur një sistem të ri online, por nuk ka ulur numrin e taksave. Krahasuar me vendet e tjera të raportit, Shqipëria lë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën.

 – Për tregtinë ndërkombëtare, Shqipëria renditet e 24-ta mes 190 vendeve, njësoj si një vit më parë. Raporti mat kohën dhe koston për eksportin apo importin e mallrave. Në raport theksohet se Shqipëria e ka vështirësuar këtë proces duke futur skanimin e detyrueshëm, çka rrit kohën dhe kostot e një biznesi.

 – Për zbatimin e kontratave, Shqipëria renditet e 120-ta mes 190 vendeve dhe e fundit në rajon, me një diferencë të madhe nga vendi i fundit, Bosnje-Hercegovina në vend të 71-të. Raporti mat kohën dhe koston për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje tregtare përmes një gjykatë e shkallës së parë vendore dhe cilësinë e proceseve gjyqësore.

 – Për zgjidhjen e paaftësisë paguese, Shqipëria renditet e 41-ta mes 190 vendeve. Raporti studion kohën, koston dhe kuadrin ligjor të procedurave të falimentimit.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>