Doktor Isuf Hysenbegasi, engjëlli vishet me bluzë të bardhë

Nga Kujto.al
Doktor Isuf Hysenbegasi, engjëlli vishet me bluzë të bardhë

Doktor Isuf Hysenbegasi, edhe pse i dënuar, nuk hoqi  asnjë ditë dorë nga ai që në kushtet e infermierive të zbrazëta të kampeve të punës, më shumë sesa profesion, ishte mision: të shpëtonte jetë. E duke bërë kështu, mbajti gjallë shpresën e të dënuarve te jeta dhe mirësia.

“Brenda të gjallit, rron dhe engjëlli dhe djalli”, thotë populli. Njeriu, pastaj, i ngjan atij që ushqen më shumë, por të mbash gjallë të mirën edhe pse e liga të rrethon dhe të godet nga të katër anët, do të thotë të jesh engjëll ca më shumë se të tjerët dhe sipas të gjitha rrëfimeve, doktor Isuf Hysenbegasi ishte.

Në një intervistë të para disa viteve, Dr. Thanas Haxhiu, koleg i Dr.Isufit, ka treguar:

“Sa kohë punonte në spital, e mbyllte punën kur përfundonin pacientët, jo orari. Kur doli në pension, gjendej në spital sa herë e thërrisnin për rastet e vështira. Më shumë se sa njëherë aftësitë e tij diagnostikuese dhe ndërhyrjet e sakta u kanë shpëtuar jetën pacientëve duke e bërë doktor Isufin të nderuar dhe të dashur në të gjithë Vlorën ku ai punoi deri sa mbylli sytë në vitin 1988.

“Rastet e shpëtimit të jetës së pacientëve nga Dr. Isufi janë të shumta, por unë do t’ju tregoj njërin nga këta. Rasti i një fëmije 10 vjeç nga fshatrat e Myzeqesë së Vlorës, i cili kishte 3-4 muaj që në çdo 6-7 ditë villte gjak nga goja.

Fëmija ishte vizituar te disa mjekë dhe kishte bërë shumë analiza dhe grafi, por asnjëri prej tyre nuk i kishte dhënë zgjidhje fëmijës. I ati i fëmijës, kur mori vesh se në Vlorë kishte ardhur një specialist për grykët e sjell fëmijën për vizitë.

Dr. Isufi u interesua për vendbanimin e fëmijës, ushqimet që konsumonte, klimën e fshatit, furnizimin me ujë pusi kënete, ku kishte dhe shumë shushunja. Këto të dhëna ishin me rëndësi. Fëmija shtrohet në spital në pavijonin e otorinos.

Dr. Isufi e ndoqi dinamikën e sëmundjes disa ditë. Gjatë konsultës së organizuar me këtë rast, Dr. Isufi dha mendimin që fëmija duhej operuar, sepse shkaku që fëmija villte gjak ishte ai i depërtimit të një shushunje gjatë pirjes së ujit.

U ra dakord që fëmija të operohej, por operacioni ishte shumë i vështirë, pasi do të bëhej nën gjuhë dhe kishte rrezik jete ngaqë aty kalojnë disa vena të rëndësishme dhe mund të shkaktonte një hemorragji të pandalshme dhe deri në humbje jete.

Operacioni doli me sukses. Shkaku ishte një shushunjë që kishte depërtuar nën mukozën e nëngjuhës”.

Raste si këto e bëjnë të paharrueshëm një mjek te kolegët, por mbi të gjitha te pacientët dhe mes pacientëve, ka një grup ku doktor Isufi është edhe më i vlerësuar: ata që sëmundja ua kërcënonte jetën më shumë se kujtdo sepse nuk kishin as barna, as kushte; ata që kur i linin fuqitë, nxirreshin zvarrë në punë; ata që kur zinin shtratin, nuk kishin pranë një të afërm t’u shtrëngonte dorën.

Këta pacientë, në ditët e tyre më të vështira, patën Isuf Hysenbegasin mjek, shok dhe vëlla për 9 vitet që doktori vuajti dënimin bashkë me ta në burgjet komuniste.

Shpeshherë në infermierinë e kampeve të punës, doktori nuk kishte asgjë më shumë sesa aspirinat dhe kompresat me ujë të ftohtë e megjithatë, me ndihmën e një syri të mprehtë klinik, të një bagazhi të gjerë njohurish dhe një zemre të madhe ai ia dilte ta mposhtte sëmundjen edhe pse ndoshta shumë kolegë të tij, po të shihnin kushtet me të cilat punonte, do të parashikonin me keqardhje, disfatë.

Ai bënte luftën me garidanët për të mos i nxjerrë në punë të sëmurët; ai kërkonte lejë për të zgjatur qëndrimin e tyre në shtrat; ai këmbëngulte për barna dhe ndihmë.

E bënte këtë pa u lodhur duke gëlltitur mosaprovimet fyese. Dhe pas ditëve si këto, netëve, po ai, u rrinte te koka të sëmurëve, pa vënë gjumë në sy, siç, jashtë kampit, do të kishte bërë vetëm nëna e tyre.

Dhe nuk kish si të mos u dukej si engjëll të sëmurëve kur në përmendjet e mjegullta nga kllapia, shihnin pranë shtratit, njeriun me bluzë të bardhë.

Kishte shumë pak mjete në dispozicion, por vinte gjithë shpirtin e tij në luftë me sëmundjen dhe shpesh ia dilte të triumfonte mbi të.

Një meritë të veçantë, ndoshta më të madhen, në skalitjen e portretit të doktor Hysenbegasit për shërbimin si mjek gjatë viteve të burgut, ka ish-shoku i tij i vuajtjeve, i ndjeri Reshat Kripa, i cili ka mbledhur disa nga përballjet më të vështira të doktorit me sëmundjet e të dënuarve, ku edhe ka shkëlqyer talenti profesional dhe madhështia e tij shpirtërore.

Reshat Kripa për doktor Isufin ka shkruar duke kujtuar atë ngjarje të fundit të vitit 1952 në Kampin e Urës Vajgurore:

“Nuk do ta harroj kurrë atë natë kur jeta ime luftonte dhëmbë për dhëmbë me vdekjen. Në atë luftë protagonisti kryesor ishte doktori. Gjithë natën më qëndroi mbi kokë duke më ndërruar pecet me ujë të ftohtë që m’i vendoste mbi ballë, të vetmet mjete që kishte në dispozicion, përveç ndonjë aspirine apo bari tjetër të këtij lloji.

Në kllapinë time dëgjoja fjalët e tij që më pëshpëriste. Më fliste për familjen dhe shokët e mi. Dhe mua më dukej sikur ata i kisha pranë. Më në fund këmbëngulja e mjekut triumfoi mbi vdekjen. Afër mëngjesit temperatura filloi të zbresë”.

Pas disa muajsh, do të ishin sërish bashkë në kampin e Vlashukut, ku mirësia e doktorit do të linte gjurmë të tjera, ndërkohë që hijet rreth saj do të vazhdonin të errësoheshin.

Një nga ngjarjet më të paharrueshme për të dënuarit e vitit 1953 në atë kamp, është sëmundja e djalit të togerit të kampit, Ademit, i njohur ndër të dënuarit për sjelljen e tij çnjerëzore.

Reshat Kripa vazhdon në kujtimet e tij:

“Një ftohmë e tmerrshme e kishte shpënë në buzë të varrit, me gjithë kujdesin që kishte treguar doktor Isufi. Shpëtimi i vetëm ishte injeksioni me penicilinë oleoze, një medikament i kohëve të fundit që vinte nga SHBA.

Një të tillë kishte avokati, Jani Ikonomi nga Narta, një i burgosur politik. Togeri e mësoi një gjë të tillë dhe iu lut doktorit t’ia merrte duke i premtuar se do t’ia kthente përsëri. Papritmas ujku ishte shndërruar në dele.

Doktori ndërhyri, e mori penicilinën dhe ia injektoi fëmijës që u shërua, por bashkë me sëmundjen togeri harroi edhe premtimin. Delja ishte kthyer përsëri në ujk.

Pas pak kohe u sëmur rëndë Bejo Vrazhdua nga Bolena. Edhe për këtë rast shpëtimi ishte penicilina oleoze. Doktori i kërkoi togerit të mbante premtimin, por ai ishte i atij brumi që premtimet i hidhte në koshin e plehrave pa e vrarë farë ndërgjegjja, sepse nuk kishte ndërgjegje. Në fillim të qershorit Bejua mbylli sytë. Ajo ishte një ditë zie për gjithë kampin.

Më i prekuri, më i revoltuari ishte doktori. Një i burgosur, një nga ata që fjalën e fundit e thonë në fillim, i tha një fjalë të rëndë.

Doktori iu përgjigj:– Unë jam mjek. Detyra ime është  të  shëroj  çdo të sëmurë,  aq  më  tepër  kur  ai  është fëmijë. Ndoshta një ditë këtij djali do t’i vijë rëndë për gjestin e të atit”,

Kripa përmend në kujtimet e tij dhe një pacient të veçantë të doktorit, lejlekun, që vjeshtën e atij viti nuk kthehej dot në vendet e ngrohta dhe shokët e lëshuan mbi kamp.

Doktori e mori, e mjekoi, e ushqeu dhe e rriti. E quajti Saip, një emër egjiptian si origjina e doktor Isufit, që vetë kishte lindur në Starovë të Pogradecit. Saipi shoqëronte të burgosurit në rrugën e tyre nga kampi në vendin e punës në mëngjes dhe nga vendi i punës në kamp, në mbrëmje.

Edhe kur do të transferoheshin në kampin e Shtyllasit në vjeshtë, ai fluturoi mbi makinat e të dënuarve, por sapo mbërritën në kamp, një nga rojet e qëlloi dhe ai ra pa jetë në oborr.

Siç ka shkruar në rrëfimin e tij, Reshat Kripa ajo ishte një ditë e hidhur për tërë kampin. Doktori e mori dhe e vendosi në një kuti kartoni. Të nesërmen e varrosën pranë kanalit ku punonin. Sërish diçka u thye në zemrën e doktorit, por jo mirësia e tij.

Dy muaj më vonë, në maj të vitit 1954, siç vazhdon rrëfimin Reshat Kripa, kushtuar doktor Isuf Hysenbegasit, në kampin e Shtyllasit u sëmur Sulejman Dizdari.

“Ishte i pafuqishëm dhe me temperaturë. Doktori e pa dhe vendosi ta shtronte në infermieri. Por e ndaloi toger Ademi. Sulejmani bënte pjesë në forcat që duhej të shkonin në punë. Doktori u mundua shumë, bile u ndesh shumë ashpër me togerin, por ishte e pamundur.

I sëmuri u detyrua që i mbajtur nga shokët të nisej. Por ai nuk ishte në gjendje të punonte. Duke shtyrë karron u rrëzua dhe nuk ngrihej dot më. Togeri urdhëroi disa të dënuar ordinerë ta mbulonin me dhe. Ne dëgjonim rënkimet e mbytura të Sulejmanit, por nuk kishim mundësi ta ndihmonim.

Ai u mbulua me dhe duke patur jashtë vetëm kokën. Në mbarim të orarit të punës e nxorëm nga dheu dhe duke e mbajtur në krah e çuam në kamp. Atje shkëlqeu gjenia e doktorit. Ishte merita e tij nëse Sulejman Dizdari u kthye përsëri në jetë. Doktor Isuf Hysenbegasi me përkushtimin e tij, me vetëmohimin e tij e ringjalli përsëri.”

Reshat Kripa, një nga ata njerëz që provoi vetë dënimin e padrejtë e megjithatë nuk reshti së vëni në pah me përulësi,  shpirtrat e tjerë fisnikë që ndeshi në ato vite vuajtjesh, ka shkruar që këto janë vetëm disa nga rastet ku ka shkëlqyer gjenia e doktor Isufit. “Pyetni të burgosurit që e kanë njohur dhe do të dëgjoni ato lëvdata që rrallë i dëgjon për ndonjë tjetër”, ka thënë ai.

Këto lëvdata vazhdojnë edhe kur doktori i specializuar në Romë që e nisi punën si mjek në spitalin civil të Tiranës u dërgua në Vlorë, pas daljes nga burgu në fund të vitit 1955. I arrestuar me një grup intelektualësh në fund të vitit 1946, ai u dënua me pushkatim, por ngaqë pak më parë, kishte humbur jetën në torturat e hetuesisë i vëllai, juristi Ferit Hysenbegasi, Isufit iu fal jeta.

Atë ditë, pa kuptuar, diktatura kishte bërë një të mirë edhe më të madhe seç mendonte. U kishte shpëtuar jetën dhe shumë të dënuarve dhe pacientëve.


Botuar më parë në Kujto.al

The post Doktor Isuf Hysenbegasi, engjëlli vishet me bluzë të bardhë appeared first on https://kujto.al/doktor-isuf-hysenbegasi-engjelli-vishet-me-bluze-te-bardhe/

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>