“Ne besojmë se është koha që qeveria shqiptare t’i shpallë luftë krimit të organizuar.”
Kjo ishte deklarata e ambasadorit amerikan Donald Lu, dy ditë më parë, gjatë një fjalimi që ai mbajti në Shkollën e Magjistraturës.
Pas fjalimit, media i bëri jehonë të gjerë kryesisht përshkrimit që Ambasadori i bëri gjendjes së krimit në Shqipëri, me prani të klaneve kriminale të përfshira në trafiqe e krime të rënda, e veçanërisht faktit që Ambasadori përmendi me emër disa prej figurave më të lakuara të krimit në vend. Por pavarësisht këtij entuziazmi mediatik, gjendja e përshkruar nga Ambasadori nuk është e panjohur për askënd dhe Ambasadori nuk i përmend këta emra për herë të parë.
Ajo që media nuk vuri re apo nuk i bëri jehonë ishte fakti se Ambasadori Lu nuk shprehu asnjë kritikë apo vërejtje direkte apo indirekte ndaj qeverisë apo Kryeministrit Rama për këtë gjendje të krimit. Përkundrazi, ai shprehu besim se qeveria Rama do ta luftojë krimin.
Pozicioni i Ambasadorit Lu është i qartë: vërtet Shqipëria është kthyer në qendër krimi, ku trafikohen droga, armët e qeniet njerëzore; ku pastrohen paratë për shkak të korrupsionit që lulëzon i pakontrolluar; ku një trafikant si Klement Balili nuk arrestohet edhe pse kërkohet nga qeveria amerikane; ku një i dënuar përjetësisht si Lulzim Berisha lirohet në mënyrë skandaloze dhe mbetet i lirë edhe kur zbulohet skandali; ku nje kriminel si Emiljano Shullazi drejton nga burgu trafikun e drogës dhe të armëve; ku parlamenti ka qenë mbushur me kriminelë; por këto gjëra nuk kanë lidhje as me Edi Ramën dhe as me qeverinë.
Ambasadori beson në teorinë se një vend mund të ketë krim dhe korrupsion të përhapur kudo e prapë qeveritarët të jenë të paprekur prej tyre apo të pafajshëm; se në një vend mund të lulëzojë droga dhe të lihen të lirë kriminelë, por Kryeministri i vendit është i pafuqishëm përballë këtij realiteti, për të cilin përgjegjës janë ca prokurorë, gjykatës e policë të papërcaktuar apo anonimë.
Madje, në fjalën e tij Ambasadori në mënyrë flagrante dhe të pakuptueshme edhe vrasjen e gjykatëses Fildeze Hafizi ja faturoi sistemit të drejtësisë, edhe pse në fakt sistemi i drejtësisë e kishte dënuar vrasësin, por atë e amnistoi në mënyrë skandaloze qeveria Rama duke i dhënë kështu mundësinë të kryente krimin.
Pothuajse, gjithçka që tha Ambasadori (hiq emrat e tre kriminelëve) ngjan si dy pika uji me retorikën dhe qasjen që përdor rëndom edhe Kryeministri Rama.
Njësoj si Kryeministri, Ambasadori Lu ju referua gjithashtu vazhdimisht popullit shqiptar në fjalimin e tij. Ai e përgëzoi popullin që kishte larguar kriminelët nga parlamenti—edhe pse në fakt kriminelët në parlament i futi Edi Rama dhe u larguan prej andej kryesisht falë përpjekeve të opozitës.
Po ashtu, Ambasadori përgëzoi popullin për arritjet kundër kultivimit të kanabisit, një problem që as Ambasadori dhe as Kryeministri Rama nuk e pranuan ndonjë herë më parë (Ambasadori madje as nuk e kishte përmendur kurrë më parë) , por befas tani, Ambasadori dhe Kryeministri Rama po shpallin arritje dhe përparime në luftën kundër kanabisit, pa sjellë ndonjë fakt apo provë për këtë përparim.
Në këtë mënyrë, Ambasadori Lu po përforcon propagandën euforike të Kryeministrit Rama.
Dhe kjo propagandë po funksionon. Sikurse funksionoi më parë propaganda me reformën në drejtësi.
Gjatë katër viteve të para në qeverisje, Edi Rama arriti të bindë shumicën e shqiptarëve dhe të huajve se fajin për çdo gjë të keqe në Shqipëri e kanë gjykatësit dhe prokurorët dhe se, e ashtuquajtura, reformë në drejtësi do ishte shpëtimi i vendit.
Në këtë mënyrë, ai arriti të përqendronte gjithë vëmendjen dhe energjitë e politikës, medias, publikut, komunitetit ndërkombëtar tek reforma në drejtësi—e cila përfundoi me një sërë rregullimesh problematike e amatore institucionale e ligjore—ndërkohë që Shqipëria kanabizohej, krimi rritej dhe korrupsionin shtohej jashtë vëmendjes së tyre.
Si rrjedhojë, duke pritur mrekullinë e reformës në drejtësi, askush nuk u mor seriozisht me drogën, krimin e korrupsionin,
Tani që të gjithë po kuptojnë se reforma në drejtësi ishte më shumë lojë se reformë dhe nuk do sjellë asnjë ndryshim thelbësor në drejtësi, tani që realiteti i drogës është i qartë për të gjithë, tani që korrupsioni, keqqeverisja e mungesa e shpresës nuk mohohen më as nga vetë qeveritarët, Edi Rama ka nisur një tjetër operacion madhor propagandistik: fajësimin e këtyre problemeve tek burokratët, punonjësit e thjeshtë e drejtuesit publikë të nivelit të mesëm, si dhe shpalljen e “luftës” kundër tyre, në emër të popullit.
Si pjesë e kësaj propagande, javët e fundit Rama ka vënë në shënjestër të kritikave dhe sulmeve të tij drejtorë hipotekash, drejtorë legalizimesh, drejtorë spitalesh, doganierë, tatimorë, inspektorë, etj. Ai shkarkoi disa prej tyre në mënyrë spektakolare drejtpërsëdrejti në televizion dhe mori përmes kërcënimit dorëheqjen e drejtorëve të hipotekave dhe spitaleve—të gjitha në shëprfillje të plotë të ligjit dhe procesit të rregullt administrativ.
Këtë linjë të Edi Ramës tashmë duket se po e ndjek ambasadori amerikan për shpjegimin e gjendjes së krimit në vend, sikurse u pa në fjalimin para Shkollës së Magjistraturës, gjatë të cilit ai fajësoi sistemin e drejtësisë, policë e prokurorë, por jo qeveritarë.
Me këtë logjikë, Ambasadori Lu u ngut t’i kërkonte i pari qeverisë që të shpallte luftën edhe në ketë fushë, për ta shpëtuar kështu vendin nga kriminelët që përfitojnë nga policët, prokurorët dhe punonjësit të paaftë të niveleve të ulta.
Dhe që të mos linte asnjë hapësirë që fjalët e tij të mund të keqkuptoheshin si kritikë ndaj Kryeministrit apo qeverisë, Ambasadori Lu shkoi menjëherë pas fjalimit në zyrën e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i ndjekur nga kamerat që transmetonin papushim këtë ngjarje të rëndësishme për sigurinë e vendit.
Nënkuptimi është i qartë: Treshja Lu-Rama-Xhafaj, pasi i dhanë Shqipërisë reformën historike në drejtësi, tani do ta çlirojnë popullin shqiptar nga krimi i organizuar.
Për Ambasadorin Lu kjo “luftë” është vazhdim i natyrshëm i reformës historike në drejtësi, pasi, siç ai u shpreh para Shkollës së Magjistraturës, krimi i organizuar është “sfida tjetër e madhe e sistemit të drejtësisë”. Dhe kush mund ta përballojë sfidën pasuese të reformës në drejtësi më mirë se ata që kryen reformën, pra, treshja Lu-Rama-Xhafaj.
Duket se Ambasadori Lu, mandati i të cilit mbaron këtë dhjetor, do të jetë deri çastin e fundit në krah të Edi Ramës dhe mënyrës së tij të qeverisjes.