Tom Shannon, Nën Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, ka njoftuar dje dorëheqjen nga shërbimi i jashtëm i Shteteve të Bashkuara. Në një letër drejtuar kolegëve dhe miqve në Departamentitn e Shtetit, Shannon ka pohuar se vendimi për t’u larguar, pas më shumë se 30 vjet shërbim në diplomacinë amerikane, është marrë për arsye personale.
Shannon u emërua Nën Sekretar për Çështjet Politike—pozicioni i treti më i lartë nga hierarkinë e Departamentit të Shtetit pas atij të Sekretarit dhe Zëvendës Sekretarit të Shtetit—nga Presidenti Obama dhe e mori detyrën në prill 2016. Ai ishte një nga rastet e pakta kur në këtë detyrë emërohet një diplomat karriere, pasi pozicioni zakonisht është i rezervuar për emërime politike.
Largimi i Shannon shënon largimin e personit të fundit në Departamentin e Shtetit që ka qenë përgjegjës për politikën dhe marrëdhëniet e qeverisë amerikane me Shqipërinë. Shannon ishte drejtuesi më i lartë i diplomacisë amerikane që mbajti qëndrim për krizën politike të vitit të shkuar. Në prill 2016, pas një takimi me Ministrin e Jashtëm Bushati, Shannon pohoi domosdoshmërinë që të gjitha partitë politike të merrnin pjesë në zgjedhjet e qershorit 2017, deklaratë që u interpretua si goditje ndaj qëndrimeve të opozitës, e cila në atë kohë kërcënonte me mospjesëmarrje në zgjedhje.
Në janar 2017, dha dorëheqjen nga shërbimi i jashtëm Ndihmës Sekretarja e Shtetit Victoria Nuland, zëvendëse e Shanonit dhe personi direkt përgjegjës për formulimin e politikës amerikane për Shqipërinë. Nuland ishte personi kyç që u përfshi në mbështetjen e reformës në drejtësi dhe që negocioi mes paleve politike shqiptare për arritjen e konsensusit mbi reformën.
Një vit më vonë, në janar 2018, u largua nga shërbimi diplomatik zëvendësi i Nulandit Hoyt Yee, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit. Hoyt Lee ishte personi që u përfshi direkt në zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore në Shqipëri dhe që mundësoi me anë të presionit arritjen e mrrëveshjes Rama-Basha në maj 2017.
Në qershor të këtij vitit, do të largohet nga Tirana ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, i cili ka qenë personi me ndikimin më të madh në formulimin e qëndrimeve amerikane ndaj Shqipërisë, dhe personi i huaj me ndikim më të madh mbi politikën shqiptare përmes protagonizmit të tij individual me ndërhyrje, qëndrime dhe deklarata për çdo çështje politike në Shqipëri, gjatë tre vjetëve të fundit.
Donald Lu i përket të njejtës qasje në politikën e jashtme të mishëruar dhe zbatuar nga ish-shefja e tij Victoria Nuland, ndërhyrjes për të zbatuar me çdo mjet në vende të ndryshme vizionin e tyre të ndërtimit-të-kombeve të tjera—qasje tashmë e diskredituar sidomos në Ukrainë, ku Nuland akuzohet se krijoi kaosin me nxitjen dhe mbështetjen që ajo i dha rrëzimit me forcë të presidentit legjitim të Ukrainës, çfarë i hapi rrugë ndërhyrjes ruse që përfundoi me aneksimin e Krimesë.
Politika e jashtme amerikane nën Presidentin Trump ka ndryshuar rrënjësisht, duke hequr dorë nga imponimi i vlerave amerikane duke fokusuar në gjetjen e bashkëpunimit me çdo vend për të mbështetur interesat amerikane, në rradhë të parë sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Ndryshimi i politikës së jashtme amerikane është shoqëruar me dorëheqjet e detyruara apo vullnetare të gjithë drejtuesve të lartë të Departamentit të Shtetit, përfshi individë që mbanin pozicione të larta menaxheriale jopolitike. Dorëheqja e Shannon tashmë ka plotësuar ndryshimin tërësor gjithë drejtuesve të trashëguar nga periudha Obama-Klinton në të gjitha nivelet e Departamentit të Shtetit.