Në Shtëpinë e Bardhë kanë nisur dorëheqjet e disa prej zyrtarëve të lartë pas protestave të dhunshme në Kongresin amerikan.
Stefani Grisham dha dorëheqjen si shefe e kabinetit të zonjës së parë.
“Ka qenë një nder t’i shërbeja vendit në Shtëpinë e Bardhë. Jam shumë krenarë që isha pjesë e misionit të zonjës Trump për të ndihmuar fëmijët kudo, dhe krenare për shumë arritje të kësaj administrate,” tha zonja Grisham në një deklaratë pa specifikuar nëse dhuna në Kapitol kishte ndikuar vendimin e saj.
Edhe sekretarja sociale e Shtëpisë së Bardhë, Rikie Niketa, dha dorëheqjen, ashtu si edhe një zëvendës sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sara Methjus, thanë dy burime për Reuters.
Të njejtat burime raportojnë se këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brajan po konsideronte gjithashtu dorëheqjen, si edhe zoti Potinxher, zëvendës këshilltari i sigurimit kombëtar i cili ka qenë një zë kryesor për politikën ndaj Kinës brenda administratës.
Zëri i Amerikës raporton se burime të tyre bëjnë me dije se edhe zëvendës shefi i stafit Kris Lidell mund të jepte dorëheqjen.
Një turmë e mbështetëseve të Tramp pushtoi Kapitolin të mërkurën ndërsa Kongresi dhe Senati shqyrtonin certifikimin e zgjedhjeve presidenciale. Katër persona humbën jetën dhe mbi 50 janë arrestuar.
Tramp ka vijuar pretendimet se zgjedhjet janë manipuluar por kjo është kundërshtuar tashmë edhe nga kryetari republikan i mazhorancës në Senat, Miç MekKonell dhe zv/presidenti Majk Pens.