Partia Demokratike ka reaguar pas përfundimit të hetimeve për dosjen 184, duke kërkuar ndëshkimin e Edi Ramës, Saimir Tahirit, Damian Gjiknruti dhe Pjerin Ndreut.
Prokuroria e Dibrës ka përfunduar të premten hetimet për dosjen 184, e njohur si dosja e vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2016-ës në Dibër, pas gati më shumë se 3 viteve.
Prokuroria ka ngritur akuzë vetëm për 4 persona ndërsa për pjesën tjetër të të dyshuarve të përfshirë në këtë çështje është kërkuar pushimi i çështjes.
Të pandehur janë:
- Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, i akuzuar për shpërdorim detyre;
- Drini Gjeçi, ish-drejtor i arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve;
- Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin, akuzuar për shpërdorim detyre
- Hasan Hoti, Njësia administrative Lurë, akuzuar për kanosje të zgjedhësve
Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi në një deklaratë për media është shprehur se organizatorët e vërtetë nuk janë kapur.
Në emër të PD, Bardhi bëri thirrje që të hetohet plotësisht dosja 184 “pasi shqiptarët presin të ndëshkohen organizatorët e vërtetë të vjedhjes së zgjedhjeve, që është dhe një nga kushtet e integrimit”.
“Ngritja e akuzave nga prokuroria vetëm për disa zyrtarë lokalë dhe përjashtimi nga përgjegjësia penale e organizatorëve, nxitësve dhe urdhëruesve të vertetë të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër nuk është drejtësi. Shqiptarët dhe bota mbarë kanë dëgjuar me zë e figurë sesi Edi Rama urdhëronte zyrtarët lokal për manipulimin e zgjedhjeve, sesi Damian Gjinknuri dhe Imer Lala blinin votat, sesi Pjerin Ndreu kërcënonte mësuesit. Shkelja e ligjit nga maja e pushtetit nuk mund të mbulohet me peshqit e vegjël dhe të ngordhur të pushtetit që rri në këmbë nga votat e vjedhura”, tha Bardhi.