Gjykata e Dibrës do të gjykojë 4 persona në lidhje me dosjen 184, e njohur si dosja e vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2016-ës në Dibër.
Vendimi u mor ditën e enjte ku gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për të dërguar në gjykim 4 të pandehur për këtë çështje.
Të pandehurit janë :
- Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, i akuzuar për shpërdorim detyre;
- Drini Gjeçi, ish-drejtor i arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve;
- Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin, akuzuar për shpërdorim detyre
- Hasan Hoti, Njësia administrative Lurë, akuzuar për kanosje të zgjedhësve
Gjykata pushoi çështjen për Dionis Imerajn, Imer Lalën, Arben Keshin, Bekim Krashin, Afrim Miklin.
Prokuroria më herët kërkoi pushimin e çështjes ndaj tyre me argumentin se për këta persona është parashkruar vepra penale e shitblerjes së votave pasi kanë kaluar 3 vite.
Prokuroria ka akuzuar 4 të pandehurit për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 7 vite burg. Shpërdorimi detyrës sipas nenit 248 ka një marzh dënimi deri në 7 vite ndërsa kanosja e zgjedhësve nga një vit deri në katër sipas nenit 329 të kodit penal.