Gjykata e Krimeve të Rënda liroi sot nga burgu Kelmend Dalipin, i arrestuar dhe dënuar për çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Sipas informacioneve të deritanishme, vendimi i gjykatës është marrë pasi i dënuari vuan nga një sëmundje e rëndë.
Kelmend Dalipi u arrestua në fillim të vitit 2015, së bashku me vëllain e tij, Arjan Dalipin, pasi ishin pronarët e magazinës ku ishte instaluar laboratori për përpunimin e kokainës.
Megjithëse të dy vëllezërit e kanë mohuar se kishin dijeni për veprimtarinë kriminale që zhvillohej në magazinën e dhënë me qira, gjykata e dënoi Kelmend Dalipin me 11 vite burgim. Ky dënim u ul më pas nga Gjykata e Apelit, përmes kërkesës për gjykim të shkurtuar, në 7 vite e tre muaj burg.
Ndërkohë të dënuarit e tjerë për çështjen e Xibrakës, shqiptarët Ermal Hoxha, Ilir Hyseni, Arjan Dalipi, Genci Xhixha, Gentjan Gjonaj, Sajmin Batku dhe dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno, do të vazhdojnë të vuajnë dënimin në burg.