Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka refuzuar të komentojë mbi rezultatet e reformës në drejtësi bazuar ne kapjen e ‘peshqëve të mëdhenj’”.
Në një deklaratë për mediat në Pustec të Korçës, Kim tha se reforma në drejtësi po ecën përpara “më ngadalë se çfarë do të donim” por theksoi se kjo është koha që njerëzit të jenë më kërkues ndaj qeverisë.
E pyetur nëse po shkojmë drejt ‘peshkut të madh’, Kim u përgjigj:
“Unë jam një diplomate, nuk jam prokurore, as peshkatare as prift, jam thjeshte një diplomate”
Kapja e ‘peshkut të madh’, si rezultat i reformës në drejtësi, është një term i përdorur nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Në vitin 2017 ai paralajmëroi se reforma në drejtësi dhe insitucionet e krijuara prej saj do të çonin në kapjen e ‘peshqëve të mëdhenj’ duke iu referuar personave të fuqishëm të botës së krimit dhe politikanëve të korruptuar.
Lu foli edhe me emra konkretë personazhesh të botës së krimit – të konsideruar ‘peshq të mëdhenj’ – duke bërë apel për kapjen dhe dënimin e tyre.
Prej asaj kohe, ‘njësia matëse’ e rezultateve të reformës në drejtësi është bërë kapja e ‘peshqëve të mëdhenj’.