Droga—pikë kryesore në axhendën e diskutimeve Shqipëri-BE

Droga—pikë kryesore në axhendën e diskutimeve Shqipëri-BE

Gjatë  këtyre ditëve po zhvillohet në Tiranë takimi i 12-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Për herë të parë në axhendën e bisedimeve të këtij takimi periodik mes parlamentarëve europianë shqiptarë, pikë kryesore e rendit të ditës është droga—trafikimi dhe kultivimi i drogës në Shqipëri.

Drejtuesja e delegacionit të Parlamentit Europian në këto bisedime, Monica Macovei, ka qënë e vetmja e cila vazhdimisht i ka kërkuar informacion Komisionit Europian për gjendjen e krimit dhe drogës në Shqipëri.

Sot, gjatë fjalës së saj, Zonja Macovei e  vuri theksin tek mosndëshkueshmëria e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, duke u shprehur se “ka një numër të madh hetimesh, por nuk ka shumë ndjekje penale.”

Ndërsa më 18 prill 2017, eurodeputetja Macovei i paraqiti KE-së një kërkesë më shkrim për sqarimin e gjendjes së drogës në Shqipëri:

“Në 25 vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në burimin kryesor të kanabisit në tregun ndërkombëtar. Duke pasur parasysh rritjen e sipërfaqes së mbjellur, situate aktuale ngre shqetësime serioze. Sipas raporteve të kryer nga Qendra Evropiane për Monitorimin e Drogës e Varësinë ndaj Drogës dhe Europol, Shqipëria është vendburim i rëndësishëm për trafikimin e kanabisit në drejtim të vendeve të BE-së.

Droga më e përdorur në Evropë, kanabis, përbën rreth 38 për qind të tregut të shitjes për drogat e paligjshme dhe kap vlerën e rreth 9,3 miliardë euro në vit — rreth gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë. Sipas autoriteteve shqiptare, ndërmjet vitit 2013 dhe 2016 ka pasur një ulje me rreth 30 për qind të zonave të shkatërruar për kultivimin e kanabisit, por kjo deklaratë duhet të vërtetohet. Megjithëse është bërë progres, bashkëpunimi i policisë me prokurorinë  duhet të forcohet në mënyrë që të ketë më efektivitet në shkatërrimin e bandave kriminale.

Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat në BE në qershor 2014. Çfarë masash konkrete po zbaton dhe planifikon të zbatojë Komisioni në nivel afatshkurtër dhe afatgjatë në mënyrë që të mbështesë Shqipërinë në përpjekjen e saj për të shkatërruar rritjet e shpejtë të krimit të organizuar dhe në veçanti, të ndalojë vendin së qeni burim i kanabisit në tregun ndërkombëtar dhe ta ndihmojë atë të përparojë në mënyrë efektive në rrugën drejt anëtarësimit në BE?”

 

Lajme te ngjashme