Durrës, bashkia gërmon në errësirë, në rrezik mozaiku

Durrës, bashkia gërmon në errësirë, në rrezik mozaiku

Një tjetër projekt i Bashkisë Durrës po vë në rrezik trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore në këtë qytet. Punimet për rindërtimin e shkollës 9 –vjeçarë Marie Kaçulini, e ndodhur në një zonë arkeologjike B, prej muajsh po zhvillohen gjatë natës, në një shesh të pandriçuar dhe pa praninë e arkelogëve.

Portali Amfora ngre zërin për këtë ndërtim pasi në perimetrin rrethuesh të shkollës së vjetër gjendet mozaiku që i përket shekujve III-IV pas Krishtit, i zbuluar në vitin 1968 nga arkeologu Vangjel Toçi. Mozaiku i njohur si  “Mozaiku pranë Pallatit të Sportit” është shpallur Monument Kulture, kategoria I, në vitin 1973.

Punimet në këtë zonë duhet të bëheshin sipas instruksioneve dhe nën vëzhgimin e arkeologëve, jo vetëm për ruajtjen e mozaikut, por edhe për mundësinë e zbulimeve të reja.

“Nga monitorimi i Amfora.al përgjatë netëve 28 maj – 1 qershor, nuk janë parë të jenë të pranishëm arkeologët në orët e vona të natës, për monitorimin e këtyre gërmimeve. Sasia e madhe e tullave dhe inerteve të objektit të vjetër është hedhur mbi sipërfaqen e gërmuar, duke mos lënë përgjatë ditës as mundësinë për evidentimin sipërfaqësor për praninë e objekteve arkeologjike.”

Prishja e ndërtesës së vjetër të shkollës zgjati katër muaj, megjithëse nuk kishte lejet e nevojshme nga institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore e arkeologjike.

“Ashtu si tek nisja e projektit “Veliera”, edhe ky projekt i bashkisë Durrës, nuk kishte kaluar më parë në shqyrtim nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve”, thekson Amfora.al.

Shkolla e re do jetë tre katëshe dhe sipas projektit, parashikohet të ketë ndërtime dhe në zonën ku ndodhet mozaiku, e që në shkollën e vjetër nuk ka pasur ndërtime.

Me shumë mundësi edhe procesi i ndërtimit të godinës së re do të kryehet në po të njëjtat pozita në shkelje të ligjit, pa praninë e ekspertëve dhe pa ndjekur procedurat e nevojshme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>