Situata në vend, pas dy ditëve me reshje të dendura që shkaktuan përmbytje, duket se është ende problematike
Në qarkun e Lezhë, fshatrat Dajç, Balldre e Torovicë janë ende nën ujë, si pasojë e daljes së lumenjve Drin e Gjadër nga shtrati. Mirëja hektarë tokë e qindra banesa u përmbytën totalisht. Në fshatin Pllanë 13 familje të përmbytura nuk janë evakuuar ende.
Në qarkun e Durrësit, veçanërisht në Sukth e Shijak gjendja është e rënduar. Vetëm në Sukth, rreth 250 hektarë tokë e mbjellë ndodhet nën ujë. Në Shijak më shumë se 150 shtëpi u përmbytën. Uji është ende i pranishëm brenda banesave, pavarsisht se niveli i tij po bie.
Në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, deti ka dalë duke përmbytur të gjithë bregdetin dhe rrugën. Rëra e hedhur në bregdet, sipas projektit Lungomare, është zhdukur e tëra.
Në Tiranë, ura e Laknasit është ende problematike si pasoje e daljes së lumit të Tiranës, ndëra lumi Lana dhe qarkullimi në rrugë u normalizuan.
Niveli i ujit është ende i lartë dhe në fshatin Çermë, ku çarja e argjineturës së lumit Shkumbin përmbyti më shumë se 50 banesa. Një familje me 17 anëtarë ndodhet ende e izoluar në banesen e tyre të përmbytur në fshatin Çermë Proshkë.
Në qarkun e Dibrës, fshatrat Bellovë, Cerjan, Zagrad dhe Rabdisht u përmbytën nga përrenjtë e rrëmbyeshëm. 260 familje që jetojnë aty janë ende të bllokuara.