Dy javë pas tërmetit, sizmiologët nuk dinë sa ballë ishte

Nga Redaksia
Dy javë pas tërmetit, sizmiologët nuk dinë sa ballë ishte

Dy javë pas tërmetit me magnitude 6.4 Richter që goditi vendin, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) nuk ka përcaktuar ende se sa ballë ishte intensiteti i lëkundjeve.

Në një intervistë për ABC-News, sizmiologu Llambro Duni tha se ekspertët janë ende duke punuar për të nxjerrë vlerësimin e saktë të efekteve të tërmetit në sipërfaqe, njohur ndryshe si “shkalla ballë” e një tërmeti.

Zoti Duni tregoi se të dhënat e aparaturës matëse në stacionin sizmiologjisë së Durrësit nuk mund të përdoreshin pasi atje tërmeti u regjistrua vetëm 15 sekonda:

“Kemi vetëm 15 sekondat e para të regjistrimit, pasi janë regjistruar këto sekonda ka pasur ndërprerje të energjisë, për rreth 40 skonda ka munguar energjia dhe më andej është rivendosur përsëri energjia dhe ka rifilluar regjistrimi”

Mosregjistrimin e tërmetit në stacionin e Durrësit, Zoti Duni, e pranoi fillimisht më 3 dhjetor gjatë emisionit Open në Top-Channel, kur tha se “për mungesën e një baterie apo sistemi alternativ të energjisë” ishte humbur një pjesë e të dhënave “që mund të ndihmonin për të kuptuar forcën në terma fizike të lëkundjes në sipërfaqen e tokës”. Asokohe Zoti Duni tha se “ekspertët po përpiqeshin t’i rikuperonin të dhënat nga memoria e aparaturave të Durrësit”, por këto përpjekje nuk dhanë rezultat.

Profesor Llambro Duni në studion e emisionit Open, Top-Channel.

Sidoqoftë Zoti Duni tha se IGJEUM po përdor të dhënat e nxjerra nga stacionet e tjera dhe verifikime në terren. Perceptimi i sizmiologut është se tërmeti i 26 nëntorit mund të ketë pasur intensitet mbi 8 ballë në epiqendër, por që kjo mbetet për t’u parë nga analizat e mëtejshme shkencore që IGJEUM po bën.

Përfundimi shkencor do të ndihmojë për të analizuar respektimin ose jo të standardeve të ndërtimit duke qenë se ndërtuesit detyrohen të respektojnë shkallën ballë të përcaktuar për zonat ku ndërtojnë.

Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe la të pastrehë mijëra njerëz në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës. Në rreth 3 javë, janë regjistruar rreth 1, 800 pasgoditje, ku rreth 80 për qind e tyre kanë qenë lëkundje të pandjeshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>