Dy shtete indiane, Goa dhe Uttarakhand kanë deklaruar se do të përdorin ilaçin anti-parazitar ivermektin për të kuruar të prekurit rëndë nga COVID-19.
Vendimi shkon përkundër rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila në fund të marsit u shpreh se nuk ka prova të mjaftueshme mbi efektivitetin e ivermektinës kundër koronavirusit.
Sipas një raportimi nga Reuters, edhe Merck, kompani prodhuese e ilaçit, mbështet qëndrimin e nuk ka të dhëna që mbështesin përdorimin e ivermektinës si një trajtim COVID-19.
Goa, një vend turistik, planifikon ta administrojë ivermektinën për personat mbi 18 vjeç, ndërsa Uttarakhand tek çdo person mbi moshën dy vjeç, përveç grave shtatzëna dhe atyre që ushqejnë të vegjilit me gji.
“Një panel mjekësor ekspert e ka rekomanduar ” tha për Reuters Sekretari i Përgjithshëm i Uttarakhand, Om Prakash.
Një justifikim të ngjashëm përdor edhe Ministri i Shëndetësisë së Goa-s, Vishwajit Rane, që pohoi se një panel ekspertësh evropian kishin zbuluar se ivermektina zvogëlon kohën e rikuperimit dhe rrezikun e vdekjes.
Ndërkohë, Këshilli Shtetëror indian i Kërkimit Mjekësor rekomandon që mjekët ta përdorin ilaçin për pacientë me simptoma të buta COVID-19, duke paralajmëruar se kjo nuk bazohet në prova të sigurta.