
Jurgis Çyrbja, deputet i Partisë Socialiste, ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmando Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit, ku e informon atë për lëvizjet e prokuroisë, edhe pse deputeti vetë e mohon këtë fakt.
Sipas Balkanweb, nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nisur në 2016-ën, mes bisedave telefonike të Shullazit dhe Danit, janë zbuluar dy biseda me Jurgis Çyrbjen, në atë kohë drejtues i hipotekës në Durrës.
Telefonata e parë është bërë menjëherë pasi një oficer i policisë gjyqësore ka shkuar në zyrat e hipotekës Durrës dhe ka sekuestruar dosjen e regjistrimit të ish-Hotel Vollgës, çështje për të cilën po hetohet Shullazi dhe Dani. Pasi dosja është sekuestruar nga oficeri, Çyrbja ka marrë në telefon Danin dhe i ka thënë: “E kemi keq punën. Lidhet me detyrën time.”
Në të njëjtën ditë, prokuroria mori në pyetje Çyrbjen lidhur me dosje e sekuestruar. Sapo ka mbaruar punë në prokurori, Çyrbja telefonoi Danin dhe i kërkoi një takim.
Pak muaj pas kësaj ngjarjeje, Jurgis Çyrbja deklaroi në seancën e gjyqit të Shullazit se kishte pasur më parë vetëm një takim me Shullazin, por mohoi të ketë pasur komunikim me Danin.
Jurgis Çyrbja u bë deputet për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2017. Në vitin 2013–2016 ka drejtuar Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. Ai nuk ka qenë i përfshirë më parë në skenën politike.
Hetimet për çështjen Shullazi vazhdojnë dhe në muajin shtator pritet që prokuroria të lëshojë pretencën. Emiljano Shullazi u arrestua në prill 2016 pas deklaratave të ish-Kryeministrit Berisha, ku e akuzonte për kërcënimin e kandidatit për rektor të UT-së për tërheqje nga gara. Tani ai akuzohet për gjobëvënie, marrje të pasurisë me kërcënimi dhe krijim të grupit kriminal të strukturuar.