Partia Demokratike akuzoi qeverinë se po lë qytetarët pa mbështetje dhe ndihmë në përballimin e kostove të larta për kurimin e Covid-19.
Të premten, një e moshuar, Asime Çela tregoi për Dorian Telitin se si ishte detyruar të paguante rreth 2 milionë lekë për ilaçet e analizat, pasi u infektua me Covid-19.
Zonja tregoi se megjithëse ka telefonuar në numrat e vënë nga shteti, asaj nuk i është bërë as tamponi:
“Merr në telefon këtu e merr urgjencën, merr doktoreshën e lagjes, atë të familjes që themi neve dhe absolutisht asnjë germë fare nuk lëvizën.”
Zonja Çela tregoi dhe për kostot e vizitave dhe ilaçeve, të cilat e detyruar nga indiferenca e shtetit, i mori në privat:
“Ilaçet të them të drejtën, ne morëm doktorin nga privati, vizitë 200 mijë lekë. Ndërsa infermierët dhe infermieret morën, domethënë për 7 ditë, morën 650 mijë lekë, paradite dhe pasdite që vinin më bënin serumin, oksigjenin, oksigjenin e vendosja vetë se e kisha aparatin aty afër, e bëja vet. Ilaçe këtu nuk di të të tregoj. 2 milionë lekë, 2 milionë [në total].”
Ajo tregoi se për të përballuar kostot e trajtimit e kanë ndihmuar fëmijët pasi pensioni saj është 17,500 lekë në muaj:
“Më ndihmuan fëmijët, tani me 175 mijë lekë të paguash infermiere e doktor, jo nuk ka mundësi.”