Ebrahim Raisi, një klerik konservator, ka fituar zgjedhjet presidenciale të Iranit.
60-vjeçari paraqiti veten e tij gjatë fushatës zgjedhore si personi më i mirë për të luftuar korrupsionin dhe për të zgjidhur problemet ekonomike që Irani është përballur gjatë drejtimit të Presidentit në ikje Hassan Rouhani.
Raisi është gjykatësi më i lartë i vendit dhe ka pikëpamje ultra-konservatore politike. Shumë iranianë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë nënvizuar pjesëmarrjen e tij në ekzekutimet masive të të burgosurve politikë në Iran në vitet 1980.
Ebrahim Raisi lindi në 1960 në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i Irani. Babai i tij, i cili ishte klerik, vdiq kur ai ishte pesë vjeç.
Raisi, i cili mban një çallmë të zezë që e identifikon atë në traditën Shia si një pasardhës i Profetit Muhamed, ndoqi hapat e babait të tij dhe filloi të marrë pjesë në një seminar shia në moshën 15 vjeç.
Ndërsa ishte student, ai mori pjesë në protesta kundër Shahut të mbështetur nga Perëndimi, i cili përfundimisht u rrëzua në 1979 në një Revolucion Islamik të udhëhequr nga Ajatollah Ruhollah Khomeini.
Pas revolucionit ai u bashkua me gjyqësorin dhe shërbeu si prokuror në disa qytete.
Raisi u bë zv.prokuror në Teheran kur ishte vetëm 25 vjeç.
Ndërsa ishte në atë pozicion ai shërbeu si një nga katër gjykatësit e gjykatave sekrete të ngritura në 1988 që filluan të njiheshin si “Komiteti i Vdekjes”.
Gjykatat “rigjykuan” mijëra të burgosur që tashmë vuanin dënimin me burg për aktivitetet e tyre politike. Shumica ishin anëtarë të grupit të majtë opozitar Mujahedin-e Khalq (MEK).
Numri i saktë i atyre që u dënuan me vdekje nga gjykatat nuk dihet, por grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se rreth 5 000 burra dhe gra u ekzekutuan dhe u varrosën në varre masive.
Udhëheqësit e Republikës Islamike nuk mohojnë se ekzekutimet kanë ndodhur, por ata nuk diskutojnë detajet dhe ligjshmërinë e rasteve individuale.
Raisi ka mohuar vazhdimisht rolin e tij në dënimet me vdekje. Por ai gjithashtu ka thënë që ato ishin të justifikuara për shkak të një vendimi fetar, nga ish-udhëheqësi suprem, Ajatollah Khomeini.
Raisi vazhdoi të shërbejë si prokuror i Teheranit, dhe nënkryetari i parë i gjyqësorit, përpara se të emërohej prokuror i përgjithshëm i Iranit në 2014.
Në vitin 2017, Raisi pësoi një humbje të papritur në zgjedhjet presidenciale përballë klerikut të moderuar Hassan Rouhani.
Humbja nuk e njollosi imazhin e Raisit dhe në 2019 Ajatollah Khamenei e emëroi atë në pozicionin e fuqishëm të kreut të gjyqësorit.
Ai u zgjodh gjithashtu si nënkryetar i Asamblesë së Ekspertëve, organi klerik me 88 anëtarë përgjegjës për zgjedhjen e Udhëheqësit Suprem të ardhshëm.
Si shef i drejtësisë, Raisi zbatoi reformat që çuan në një ulje të numrit të njerëzve të dënuar me vdekje për vepra të lidhura me drogën në vend. Sidoqoftë, Irani vazhdoi të ekzekutonte më shumë të arrestuar se çdo vend tjetër përveç Kinës.
Gjyqësori gjithashtu vazhdoi të punojë me shërbimet e sigurisë për të goditur disidencën dhe për të ndjekur penalisht shumë iranianë me kombësi të dyfishtë ose rezidencë të përhershme të huaj nën akuzat e spiunimit.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Raisi në 2019 për shkelje të të drejtave të njeriut, në ekzekutimet e viteve 1980 dhe rolin e tij në shtypjen e trazirave në 2009 në Iran.
Dihet pak për jetën private të Raisi përveç se gruaja e tij, Jamileh, jep mësim në Universitetin Shahid Beheshti në Teheran dhe se ata kanë dy fëmijë.