Edi Rama “citon” Milan Kunderën? Milan Kundera i përgjigjet.

Edi Rama “citon” Milan Kunderën? Milan Kundera i përgjigjet.

Kryeministri Edi Rama, në një fjalim para medias dhe punonjësve të policisë, gjatë inagurimit të godinës së meremetuar të Ministrisë së Brendshme, në një lojë të mirë studiuar fjalësh retorike, përdori një citim, sipas tij, të Milan Kunderas, për ta shpallur PD-në si “armiku i vetëm i policisë”.

Sipas Ramës, Kundera ka thënë: “Armiku i vetëm i policisë është vetmia, vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes së shtypit dhe mungesa e dëgjimit.” (Në të vërtetë, Kundera nuk i ka thënë këto fjalë dhe as fjalë të ngjashme, por kjo është tjetër histori.)

Duke u fshehur pas këtij citimi, Rama vazhdoi me teorinë e tij, të lajmëruar prej kohësh, se realiteti është vetëm ai që thotë ai se është, dhe kushdo që thotë diçka tjetër duhet të jetë patjetër i çmendur. I çmendur ose kriminel, pra armik i… shtetit, atij shteti sovran drejtues i të cilit është ai vetë.

Në vend që të çlirojë policinë nga e keqja dhe ta nxisë të arrestojë ndonjë narkotrafikant më shumë dhe ndonjë mjek më pak, Kryeministri—mesa duket gjithmonë e më shumë i dëshpëruar për ecurinë e vërtetë të gjërave—vazhdon të mohojë çdo provë dhe të fshihet pas kriminalizimit të kundërshtarit, në kërkim të konfliktit politik me çdo kusht.

Natyrisht, duke lëshuar me këtë rast edhe kërcënimin e fshehur se ai do të vërë policinë—një institucion shtetëror që administron përdorimin e ligjshëm të forcës në emër të popullit—kundër një partie politike, e cila gëzon mbështetjen e të paktën 40 përqind të elektoratit.

Kush sheh krizë në ekonominë shqiptare është i çmendur ose kriminel; kush shikon shumë drogë në Shqipëri është i çmendur ose kriminel; kush sheh korrupsion në Shqipëri është i çmendur ose kriminel; kush sheh avionë të vegjël që fluturojnë pa leje është i çmendur ose kriminel; kush sheh rrënimin e shëndetësisë është i çmendur ose kriminel; kush sheh lidhje të mundshme të policisë me trafikantët është i çmendur ose kriminel.

Në fund dhe mbi të gjitha, kush sheh të çmendur dhe kriminelë në politikë dhe në qarqet drejtuese të shoqërisë shqiptare është vetë i çmendur ose kriminel.

Duke folur, pikërisht, për të çmendur dhe kriminelë, duam edhe ne të citojmë Milan Kunderën:

“Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin vrasës.”

Historia është si librat, duhet të kesh durim për ta lexuar deri në fund. Kërkimet në Google nuk e zëvendësojnë dot këtë gjë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>