Edi Rama dhe Donald Lu prezantojnë “Reformën e së Vërtetës”

Nga Natan Haasnoot
Edi Rama dhe Donald Lu prezantojnë “Reformën e së Vërtetës”

Në një konferencë shtypi që thirri me nxitim së bashku me ambasadorin amerikan Donald Lu, Kryeministri Edi Rama njoftoi se, së shpejti, qeveria do të paraqesë në Kuvend një paketë të plotë ligjore për “Reformën e së Vërtetës”.

Gjatë konferencës, Kryeministri paraqiti për herë të parë në publik planin e tij ambicioz për të “pastruar median e kazanit”, për të bërë, kështu, të mundur që Shqipëria të marrë vendin që i takon mes kombeve evropiane, si Polonia, Hungaria dhe Turqia:

“Ajo që unë mund të them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejt […] është se çelja e negociatave nuk është më një çështje që lidhet me çfarë ne bëjmë më mirë. […] Reforma kushtetuese në drejtësi u miratua, po negociatat nuk u hapën. Pastaj na vunë kusht vetingun. Vetingu kaloi dhe sigurisht pritet zbatimi i vetingut, por kjo varet nga si e sheh këtë gjë, sepse zbatimi i vetingut në të vërtetë ka nisur.

Hapja e negociatave nuk varet nga ajo se çfarë ne bëjmë më mirë, por ne duhet t’i tregojmë më mirë ato që bëjmë. Kjo është arsyeja pse ne po propozojmë “Reformën e së Vërtetës”, e cila do të sjellë rezultatet e merituara që mediat e kazanit po na i mohojnë. Pas kësaj reforme, qytetarët e thjeshtë do të mësojnë, më në fund, të vërtetën, të cilën tani për tani e dinë vetëm ata që ndjekin televizionin e së vërtetës ERTV.

Së bashku me vetingun, Reforma e së Vërtetës do ndihmojë në arritjen e rezultateve të menjëhershme dhe përcaktuese për pesë prioritetet e vëna nga Komisioni Evropian. Korrupsioni, kanabizimi, krimi i organizuar, shkeljet e të drejtave të njeriut do të pushojnë menjëherë së ekzistuari në Shqipëri, gjë që do të na lejojë të marrim vendin që na takon mes kombeve evropiane si Polonia, Hungaria dhe Turqia.

Si pjesë e Reformës së të Vërtetës, të gjithë gazetarët dhe çdokush që ka një llogari në rrjetet sociale do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të figurës (vetingu). Verifikimi do të kryhet nga një Komision i Pavarur i Kualifikimit i ngritur nga Kuvendi, i përbërë nga personalitete të medias të përzgjedhur nga dy komisione ad-hoc parlamentare, të cilët do të zgjedhin nga një listë e përgatitur nga Komisioneri i Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Vetingu do të monitorohet nga një Operacion Ndërkombëtar Monitorimi i kryesuar nga Alastair Campbell dhe i gjithë procesi i verifikimit do të ndihmohet nga afër nga Kryeministria, nga vetë Drejtoria e Komunikimit e Kryeministrit.

Reforma e së vërtetës do t’i pastrojë njëherë e përgjithmonë thashethemet dhe akuzat në komentet ndaj postimeve të mia në Facebook, derisa në to të shkruhet vetëm e vërteta, e gjithë e vërteta dhe asgjë përveçse të vërtetës!”

Ambasadori amerikan Lu shprehu mbështetjen e tij për programin novator të reformës së Kryeministrit, duke pohuar se ky është një reagim i krejtësisht i arsyeshëm dhe i matur i kryeministrit Rama ndaj “kompleksitetit” të botës moderne.

“Ne jetojmë në një botë kaq komplekse, kontradiktat ndodhin kudo. Situata politike në Shtetet e Bashkuara është një shembull i përkryer. Kur Presidenti thotë një gjë, Sekretari i Shtetit thotë diçka tjetër, dhe mediat pastaj këtë gjë e kthejnë në lajm fallco.

Këtë praktikë e kemi zbatuar edhe në Departamentin tonë. Dy ditë më parë, shefi im i drejtpërdrejt në Departamentin e Shtetit, Zëvendës Ndihmës Sekretari Hoyt Brian Yee tha se “askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, duke nënkuptuar që Parlamenti shqiptar duhet të heqë imunitetin e ish-ministrit Tahiri. Ai tha gjithashtu se qeveria duhet të “japë shembullin” në luftën kundër krimit dhe korrupisonit. Prandaj, në fjalën time të djeshme unë fola për politikanët e tjerë që 27 vitet e fundit i shpëtuan drejtësisë, edhe pse imuniteti i tyre u hoq. Qëndrimi im mund të duket i paarsyeshëm, por duhet të kuptojmë që gjëja më e rëndësishme nga të gjitha është e vërteta.

Drejtësia nuk është gjë tjetër veçse një fjalë, dhe nëse e përsërit mjaftueshëm në kontekste të ndryshme, ajo fillon dhe e humbet vetvetiu kuptimin e saj të vërtetë. A është Saimir Tahiri fajtor apo jo? Nuk më takon mua mua ta them, por njerëzit kanë të drejtë të dinë të vërtetën. E drejta për të vërtetën është më e rëndësishme se çdo e drejtë njerëzore. Është themeli i të gjitha të drejtave të tjera. Kështu do të funksionojë në praktikë edhe Reforma e së Vërtetës shqiptare dhe, duke patur parasysh rezultatet që kam parë në Uashington, jam i bindur se ajo do të jetë sukses edhe në Shqipëri.

Një brez i ri po rritet në Shqipëri, i cili po flak tutje mbeturinat e arsyes dhe ligjit. Ato janë gjëra që i përkasin të shkuarës. Ne tani kemi hyrë në një epokë, në të cilën akti im duke ngrënë imam bajalldi është më i vërtetë se çdo gjë që unë mund të them në lidhje me shtetin ligjor. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë urgjente për Reformën e së Vërtetës dhe për këtë arsye Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin plotësisht këtë reformë.”

Pas përfundimit të konferencës për shtyp, @EU_Albania shkroi në Twitter: “Urime @ediramaal për nismën e rëndësishme. Delegacioni i BE-së NUK e ka blerë rezidencën e Ambasadores nga një trafikant droge.”


Shënim: Ky artikull është satirë, asnjë nga fjalët dhe pohimet e mësipërme nuk janë të vërteta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>