Teksa qytetarë e deputetë të opozitës janë në ditën e pestë të protestës, Kryeministri Edi Rama duket se ka gjetur kohë për të vazhduar turin e ekspozitave me piktura. Destinacioni i radhës është Firencja e Italisë, ku më 25 shkurt Kryeministri Rama do të hapë një ekspozitë personale.
Në një intervistë me të përditshmen italiane Corriere della Serra, Zoti Rama servir sërish të njëjtat histori, që mund të gjehen dhe në “artikujt e tjerë të kërkuar prej tij ”, si ato të publikuara më parë në The Guardian.
Intervista në Corriere della Serra, e shkruar nga Francesca Pini, përveç historive tashmë të njohura të Ramës për skicat e tij, muret e pikturuara të Tiranës, apo miqësinë me Anri Salën e Adrian Pacin, nuk sjell shumë informacione të reja.
E vetmja e re është se tani Kryeministri Rama i është futur rrugës së skulpturës. Artikulli i Corrieres është i pari që e ka larguar figurën e Ramës si piktor me skicat shumëngjyrëshe, për të na sjellë Ramën në “aksion” teksa punon skulptura.
Artisti Rama tregon madje dhe një histori për dashurinë e tij të zbuluar së fundmi.
Shkoj në shtëpinë e një mikut tim, të shtunave ose të dielave. Është një pushim i shëndetshëm për shpirtin tim, me duart e pista nga balta nuk e përdor celularin.
Po të kemi parasysh ambientin e ri të studios ku Kryeministri është fotografuar duke punuar, ka vend për dyshime nëse “shtëpia e mikut” vërtetë ekziston. Me shumë gjasa është një nga zyrat në ndërtesën e rikonstruktuar të Ish-Poligrafikut në zonën e Ali Demit.