Pavarësisht krizës së thellë kushtetuese në të cilën është zhytur vendi, Kryeministri Edi Rama gjeti kohën për të vizituar një nga mbështetësit e tij me jetëgjatë në skenën ndërkombëtare të artit, kuratorin zviceran Hans Ulrich Obrist.
Obristi ka qënë person kyç në shtysën fillestare të vetë karrierës së Ramës si artist, dhe gjatë këtyre viteve nuk ka arritur të kuptojë se ka qenë politika ajo që ia ka mundësuar dhe e ka mbështetur këtë karrierë.
Fillimet haluçinante
Kryeministri Rama ishte ftuar nga Obristi në Forumin Convoco! në Salzburg të Austrisë, ku iu dha mundësia, pa dyshim shumë e dëshiruar prej tij, për t’iu drejtuar një audiencë të gjerë, krejtësisht të paditur për politikën e brendshme shqiptare.
Obristi ia plotësoi dëshirën menjëherë duke i bërë Ramës pyetje që i mundësonin këtij të mburrej me historinë e tij të fillimeve në politikë, e cila me kalimin e kohës është kthyer në një histori ekstravagante pa lidhje me të vërtetën.
Sikurse mund të kuptohet (me habi) nga fjalët e tij, tashmë Kryeministri Rama duket se pretendon përpara audiencave të huaja se protestat e dhjetorit 1990 kundër diktaturës komuniste filluan në Akademinë e Arteve (ku ai ishte pedagog), dhe ishin planifikuar të ndodhnin në përvjetorin e vdekjes së Xhon Lenonit.
“Gjatë ndryshimit të regjimit çdo gjë nisi në Akademinë e Arteve. U desh një vit, nga 1989 në 1990, dhe gjatë atij viti në Akademinë e Arteve gjërat lëvizën dhe krijuan mjedisin nga i cili shpërtheu gjithçka.
Dhe dita e shpërthimit ishte përvjetori i dhjetë i vdekjes së Xhon Lenonit, çka ishte dhe arsyeja për organizimin e të parës festë muzikore në një hapësirë publike, ku njerëzit mund të ndanin së bashku muzikën e ndaluar.
Pas kësaj unë vazhdova të jetoj mes artit dhe politikës, jo si një politikan, por si një qytetar që ishte i interesuar të fliste. Kështu, në një farë mënyre unë u ktheva në krijues profesionist problemesh.”
I gjithë ky rrëfim i tij është si një udhëtim haluçinant mendor. Të gjitha analet historike të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 e vendosin pikënisjen e saj në Qytetin Studenti, dhe te një grup i shpenguar studentësh të inxhinierisë, ekonomikut dhe shkencave të natyrës, të cilët më pas patën shumë pak ndikim në formësimin e mjedisit politik pas diktaturës.
Ndryshe nga ata, Kryeministri Rama vinte nga një familje në majat e hierarkisë së diktaturës—babai i tij ishte skulptori me i rëndësishëm i regjimit diktatorial. Rama vetë nuk ishte i pranishëm në protestat e Dhjetorit, ai ishte jashtë vendit, me leje nga regjimi.
Në rrëfimin e tij, Rama kapërcen, gjithashtu, faktin se, si ish-pjesëtar i një familjeje të Bllokut, ai arriti të sigurojë një bursë studimi në Paris, ku jetoi si student arti, tërësisht i shkëputur nga realiteti i politikës shqiptare deri në vitin 1998, pas vdekjes së babit të tij, kur kryeministri i atëhershëm socialist Fatos Nano i ofroi postin e Ministrit të Kulturës—jo për shkak të statusit të tij prej “shkaktari profesionist problemesh”, por për shkak të historisë së familjes së tij të besuar.
“Kërpudha e trefishtë” e Karsten Holerit [Carsten Höller] si punim i Realizmit Neosocialist
Natyrisht, Obristi nuk u përpoq fare të korrigjonte ndonjë nga këto të pavërteta të trasha të thëna nga Rama përpara një audience që ai e di se i pranon fjalët e tij pa ndonjë hezitim.
Përkundrazi, Obristi e ftoi Ramën të flasë për Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD)—e cila tashmë nuk ekziston më si ent i pavarur, por është futur nën Platformën e Bashkëqeverisjes, një organizatë e errët partiako-politike që merret “drejtpërdrejt” me ankesat e qytetarëve—dhe me fatin e “Kërpudhës së Trefishtë” të Karsten Holerit.
“Është një histori fantastike”, e siguroi Obristi audiencën me një buzëqeshje që para se Rama të fillonte të fliste.
“Kemi pasur edhe biseda atje [në COD], dhe kam thënë që protestuesit mund të vijnë, po të duan, ta përdorin [hapësirën] falas për të shpjeguar pikëpamjet e tyre. Mund të vij edhe unë, mund të shkojnë edhe ministrat. Por, e keni vetë parasysh, protestuesit e kanë problem të diskutojnë, sepse, nëse diskutojnë, nuk janë më protestues.”
Përtej kësaj mënyrë krejt të pasinqertë të përshkrimit të këtyre njerëzve (protestuesoit), të cilët shpesh përgjërohen për të ruajtur shtëpitë dhe mjetet e tyre të jetesës që shkatërrohen nga një klasë politiko-oligarkike që tjetërson ju rrëmben pronat e tyre pa u ndëshkuar dhe i shkatërron ato me lejen e plotë nga qeveria Rama, pohimi i mësipërm i Kryeminsitrit është propagandë e pastër.
Është e pavërtetë se Kryeministri Rama i ka ftuar protestuesit “t’i bashkohen” tek COD, në fakt kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Së pari, sepse Rama zakonisht largohet nga Tirana kur ka protesta të mëdha—protesta të studentëve, të opozitës, apo të shoqërisë civile. Edhe atëherë kur, në raste të rralla, Kryeministri ia lejon vetes të diskutojë çështje të lidhura drejtpërdrejt me protestuesit, kjo bëhet me video–konferencë, jo ballë për ballë.
Rama e vazhdon “historinë fantastike” të Obristit duke folur për artin:
“Kemi pasur kontributin bujar të Tomas Demandit, i cili praktikisht ishte artisti që hapi qendrën; patëm një ekspozitë të bukur të veprës së tij. Filip Parreno na dhuroi një nga strehat e bukura, në hyrje të godinës së Kryeministrisë, e cila ngjalli dhe vazhdon të ngjallë debat. Miqtë e mi kundërshtarë duan ta shkatërrojnë, por ajo ka mbijetuar deri tani. Ndërsa kërpudha e Karstenit, që ishte vendosur në lulishte, nuk i mbijetoi sulmit të protestuesve, pasi ata e thyen. E thyen, dhe sigurisht që ishte një çast i trishtë.
Ishte e trishtë, por edhe e vështirë për t’ia shpjeguar Karstenit se nuk kishte qenë një protestë estetike. Kishte qenë një protestë politike kundër meje dhe jo kundër kërpudhës. Ata nuk më kapën dot mua, dhe iu drejtuan kërpudhës, ndaj edhe kërpudha u thye. U gëzova kur Karsteni më mori në telefon pas një muaji dhe më tha “kam një ide fantastike”, se i thashë unë që duhet ta bëjmë prapë [kërpudhën]. Më tha që do ta bëjmë prapë, por 25 për qind më të lartë, që kushdo që do ta prekë ta dijë se ajo do të kthehet akoma më e lartë. Kjo do t’i bëjë njerëzit të mos e dëmtojnë kërpudhën, por edhe në e dëmtofshin, ajo vetëm sa do të rritet sërish.”
Obristi kishte vërtet të drejtë që kjo histori ishte “fantastike”. Është një histori fantastike, pasi ajo tregon mënyrën se si artistë si Karsten Holeri, të përfshirë në të ashtuquajturën lëvizje të “estetikës relacionale”, janë bërë tërësisht bashkëfajtorë të një forme të monumentalizimit, që na sjell në mendje veçse teprimet e estetikës të realizmit socialist, ne të cilën madhësia përfaqëson forcën politike.
Kujtoni, për shembull, skulpturat e shpërpjestuara të Gjermanisë naziste dhe të Bashkimit Sovjetik në pavjonet e tyre në Ekspozitën Ndërkombëtare Paris 1937. Apo, më afër, kritikët e artit Kujtim Buza dhe Kleanth Dedi, që ankoheshin në Zërin e Popullit më 1971 se monumentet e realizmit socialist shqiptar ishin mbërthyer në një garë për të qenë përherë e më të lartë:
“Ngritja e paarsyeshme e lapidarëve sa më lartë që të jetë e mundur, nga toka drejt në majat e qiellit, për të qenë lapidarë kolona absolutisht të lartë—kjo është e tepruar dhe është kthyer në një tipar negativ […].”
Me idenë e “kërpudhës që lartësohet”, në mënyrë “të paarsyeshme”, Holeri ka riformuluar ideologjinë fillestare të monumenteve të realizmit socialist shqiptare, pra, që monumenti lartësohet sëbashku me përparimin e diktaturës së proletariatit.
Ishte pikërisht kjo ideja kryesore e dokumentarit të shkëlqyer Lapidari (1985) të Esat Ibros.
Në rastin e tanishëm nuk është diktatura e proletariatit, por autokracia e Edi Ramës ajo që simbolizohet me lartësinë e monumentit. Ndaj vepra e Holerit ka marrë një kuptim të ri: Rama është bërë, në kuptimin e plotë fjalës, “dru në kërpudha” (pa dashur të ofendoj askënd që përdor kërpudha psikodelike).
Mbase na duhet të falënderojmë këtë artist të patëkeq, që na dha një imazh kaq mahnitës dhe të prekshëm të realitetit politik shqiptar.