Një lajm i mirë vjen nga Italia: një skuadër futbolli “Scanderbeg” është shpallur kampione e kategorisë së dytë e Ligës Kombëtare Amatore të futbollit në Itali, dhe vitin që vjen do të luaj në kategorinë e parë.
Skuadra u krijua në vitin 2008, nga një grup emigrantësh shqiptarë në qytetin e Parmës. Në fillim skuadra u krijua si ekip i fëmijëve të shqiptarëve të Italisë. Por më pas në të u përfshinë edhe emigrantë të vendeve të ndryshme.
Sot, skuadra “Scanderbeg” është më italiane se vetë skuadra e Interit, dhe më shqiptare se kombëtarja Kuq e Zi.
Historia e Scanderbeg është historia e një grupi shqiptarësh që jo vetëm janë integruar, por kanë arritur të kthehen në një komunitet. Një arritje e vështirë për shqiptarët kudo në Itali.
Ekipi i futbollit Scanderbeg është krijuar nga Shoqata Shqiptare në Parma “Scanderbeg”. Një shoqatë, që disa herë në vit, mbledh disa qindra shqiptarë që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali. Falë angazhimit të vazhdueshëm, ajo është kthyer në një pikë referimi për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali. Gjithashtu, në të përfshihen një skuadër futbollit, një shkollë e gjuhës shqipe, një grup kërcimi dhe një forum i studentëve shqiptarë.
Gjithçka lindi shumë vite më parë nga një grup shqiptarësh që emigruan në qytetin e Parmës në fillim të viteve 1990, me dëshirën për të ndërtuar një jetë të re dhe një të ardhme normale.
Katër janë figurat që ne njohim dhe kanë ndërtuar historinë e këtij grupi, dhe vlen të tregohet udhëtimi i tyre: Shpendi Ndreu, Durim Lika, Gentian Alimadhi e Marion Gajda.
Shpendi Ndreu vjen nga kampet e internimit në Shqipëri dhe ështe ndër refugjatët e parë të mbërritur në Itali. Zoti Ndreu, entuziastë për lirinë e rigjetur, filloi punë në një fabrikë proshutash duke e kthyer këtë në profesionin e tij të jetës.
Ai si një shqiptarë me iniciativën dhe me dëshirën për të ndihmuar shumë të papunë, hapi kompaninë e tij dhe filloi aktivitetin si sipërmarrës në sektorin e përpunimit të sallamit. Një zanat i rëndë, i cili kërkon rezistencë fizike dhe sakrificë. Një zanat që italianët e bëjnë gjithmonë e më pak por i cili është jetikë për ekonominë e qytetit të Parmës.
Shpendi organizon skuadra punëtorësh shqiptarë, të cilët kontraktohen për të punuar në fabrikat e përpunimin të proshutave Langhirano. Kompania u zhvillua shumë shpejt dhe në mënyrë të ligjshme. Sot, Shpendi ka të punësuar, në mënyrë të rregullt, disa dhjetëra punëtorë jo vetëm shqiptarë. Ai është kthyer në një pikë referimi të sigurtë për të gjithë shqiptarët e Parmës, por edhe për shumë fabrika proshutash të tjera që pa skuadrat e tij të punëtorëve nuk do të mundnin të prodhonin proshutat e famshme të Parmës. Ai, tashmë, është një emigrant që “ja ka dalë”, ka lekë, jeton mirë. Zoti Shpendi është president i Shoqatës shqiptare Scanderbeg.
Kjo shoqatë u krijuan nga ai dhe disa bashkëkombas të tjerë në vitin 2006. Shpendi, si shumica e emigrantëve shqiptarë, ka një merak – fëmijët e tij nuk dinë shqip.
Durim Lika, një djalë durrsak, i cili prej shumë vitesh jeton e punon në Parma. Prej pak vitesh ka hapur një dyqan kompjuterash, i cili është kthyer shumë shpejt në një pikë takimi për bashkëkombasit. Më pas me hapjen e linjës ajrore Tiranë-Parma, ai hapi edhe një biletari.
Kur Shpendi ankohet që fëmijët e tij nuk dinë të flasin shqip, lind shkëndija, e pas një rrugëtimi të gjatë e të vështirë, në vitin 2009, shoqata krijoi Shkollën Shqiptare Scanderbeg. Në këtë shkollë fëmijët shqiptër kanë mundësinë të shkollohen në gjuhën shqipe. Durim Lika, drejtori i shkollës, është gjithashtu edhe mësuesi i historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë.
Gentian Alimadhi vjen nga një familje e njohur e Skraparit, i ngelur i vetëm në Shqipëri, në një moshë të re, dhe duke ndjekur zinxhirin e të afërmve që emigruan, mbërriti në Parma në vitin 1993. Qytet në të cilin u shkollua dhe tani punon. I diplomuar për juridik, bëri praktikën dhe arriti të marri titullin e Avokatit, duke dalë i pari nga të gjithë studentët shqiptarë në Itali. Gentiani, sëbashku me Shpendin dhe Durimin krijuan në vitin 2006 Shoqërinë Scanderbeg. Ai arriti të fusi shoqatën Scanderbeg në programet e Bashkisë së Parmës për integrimin. Tashmë, shoqata mundëson pjesmarrjen e artistëve shqiptarë të famshëm në evente kulturore duke fituar vemendje e të gjithë komunitetit shqiptarë.
Aktiviteti i tij profesional fillon me praktika riatdhesimi dhe me çështje penale. Në vitin 2011, u vlerësua me çmimin më të rëndësishëm të qytetit të Parmës. Çmimin S. Ilario, me motivimin “Shembull i vërtet dhe pozitiv i integrimi të bazuar në punë, në nderin për rrënjët e tij dhe në respekt të rregullave dhe traditave të komunitetit tonë. I ardhur në vendin tonë mes shumë vështirësive, me historinë e tij personale dhe profesionale, dëshmon kontributin e shumë qytetarëve të Parmës që sot marrin pjesë në ndërtimin e të mirës së përbashkët”. Kjo është hera e parë që një huaj vlerësohet me këtë çmim. Më parë me këtë çmim janë vlerësuar personazhe si: industrialisti Pietro Barilla, regjizori Bernando Bertolucci dhe shkrimtari Alberto Bevilaqua.
E mbyll skuadrën Marion Gajda, 31 vjeç, i diplomuar në shkenca politike në Universitetin e Parmës. Zoti Gajda ka bashkëpunuar në të shkuarën, me këshilltarin për mundësitë e barabarta në bashkinë e Parmës. Tashmë, ai merret me formimin profesional. Marioni është i apasionuar pas historis së Luftës së Dytë Botërore dhe është shumë aktiv në shoqatën e shqiptarëve Scanderbeg.
Në vitin 2016, Marion u zgjodh anëtarë i Këshillit komunal si përfaqësues i të gjitha minoriteteve të emigrantëve në Komunën e Parmës. Mario përfaqëson, sipas statutit të ri të komunës së Parmës i miratuar nga Kryebashkiaku i lëvizjes “5 Stelle” Federico Pizzarotti. Zoti Gajda nuk ka ët drejtë vote në këtë këshill. Por ai ka të drejtë të mbrojë interesat dhe kërkesat e ndryshme të komunitetit të emigrantëve në këtë zonë. Ai ka akses në vendimet administrative, në zyrat e komunës për të kuptuar çfarë ka ndodhur me të vërtet me një praktikë, ose për të sugjeruar ndonjë ndërhyrje sociale dhe ekonomike. Ai, tashmë, është zëri i 30 mijë emigrantëve ndër to shtatë mijë shqiptarë, moldavë dhe rumunë, në këshillin komunal.
Shqiptarët e Parmës dëshmojnë se në emigrim shqiptarët japin më të mirën e tyre; bashkohen për interesa të përbashkëta; solidarizohen me njëri tjetrin; ndërtojnë shoqëri qytetare; dhe arrijnë të fitojnë një kampionat.