Ekipi turk në Fier: Spitali do kushtojë rreth €70 milionë, punësojmë dhe shqiptarë

Nga Exit News
Ekipi turk në Fier: Spitali do kushtojë rreth €70 milionë, punësojmë dhe shqiptarë

Turqia do të investojë rreth 60-70 milionë euro për të ndërtuar spitalin e Fierit, i cili pritet të jetë gati për tre muaj.

Të martën, një grup i përfaqësuesve të kompanisë turke vizituan bashkë me Ramën, tokën në Fier.

Grupi turk premtoi se 20-30 për qind e punonjësve në ndërtimin e spitalit do të jenë shqiptarë dhe rroga e tyre minimale do të jetë rreth 40 mijë lekë.

Ata premtuan se do të punojnë gjatë gjithë kohës për të përmbushur premtimin e presidentit Erdogan për të mbaruar spitalin në 3 muaj, pak para zgjedhjeve.

Rama, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë për të ndihmuar turqit për të mos hasur asnjë pengesë nga ana burokratike:

“Jemi në dispozicionin tuaj. Keni mbështetje të plotë. Do jemi 24 orë me ju, ministria, skuadra, menaxheri i projektit që t’i përgjigjet çdo kërkesë. Pra s’do ju duhet të shkoni në asnjë zyrë, askund. Ne do të jemi pas jush.”

Presidenti turk Erdogan premtoi gjatë vizitës së Ramës në Turqi javës së kaluar, se do të ndërtojë një spital të ri në Fier, me fonde turke.

Të hënën Rama deklaroi se spitali i Fierit do të jetë spital publik. Gjatë një konferencë për shtyp ai tha se shteti shqiptar nuk ja dilte dot ta ndërtonte pasi kosto ishte e lartë.

Ndërkohë disa familje, toka e të cilave do të shpronësohet për ndërtimin e spitalit, kanë protestuar kundër projektit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>