Shoqata Pro-eksport Albania i kërkon që të pezullohen të gjitha kontrollet nga organet inspektuese shtetërore 4 muaj para dhe pas zgjedhjeve.
Në një letër dërguar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, shoqata ka shprehur mbështetjen e saj për projektvendimin e KQZ që i ndalon disa prej zyrtarëve më të lartë të vendit të bëjnë propagandë me iniciativat shtetërore 4 muaj para zgjedhjeve.
Ata kërkojnë që në draft të shtohet edhe një pikë që të parashikojë pezullimin e gjitha kontrolleve “nga Organet Inspektuese (Tatimet, Inspektoriati i punës, Doganat, Inspektoriati i mjedisit e të tjerë), për një afat kohor 4/5 muaj para zgjedhjeve dhe 4/5 mbas daljes së rezultateve.”
Kjo sipas tyre të bëhet me qëllim të mosndikimit paraprak.
Shoqata Pro-eksport Albania thotë gjithashtu në kërkesën e saj se ajo përfaqëson 700 fabrika të industrisë së veshjeve dhe këpucëve, industri që në vitin 2019 jepte mbi 40 përqind të eksporteve dhe punësonte mbi 70 mijë punonjës.