Elbasan, Haki Çako shkarkon të gjithë drejtuesit e policisë, heq përgjegjësinë nga vetja

Elbasan, Haki Çako shkarkon të gjithë drejtuesit e policisë, heq përgjegjësinë nga vetja

Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, shkarkoi sot të gjithë drejtuesit e policisë në qarkun e Elbasanit për paaftësi për ngjarjen e 18 shtatorit, ku makina e një prej krerëve të bandës së Elbasanit përplasi makinën e policisë, e këta të fundit nuk bënë asgjë për të ndalur dhunuesit.

Në një konferencë urgjente për shtyp, nga ku u lajmërua shkarkimi i 12 drejtuesve, Zoti Çako deklaroi:

“Strukturat drejtuese dhe operuese në Drejtorinë vendore të policisë Elbasan janë treguar të paafta për të menaxhuar situatën e krijuar të 18 shtatorit 2017. Me veprimet dhe akoma më keq mosveprimet e tyre, situata është përshkallëzuar dhe personat përgjegjës për ngjarjen e rëndë nuk janë arrestuar dhe vendosur para drejtësisë në kohën e duhur.”

Në krye të policisë së qarkut Elbasan, drejtori Çako ka emëruar Altin Qaton, që deri më tani ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm për Sigurinë Publike.

Pritet që në ditët në vazhdim, në të tjera qarqe të bëhen shkarkime.

Gjatë fjalës së tij, Zoti Çako nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi personale, pavarësisht se situata e krijuar muajt e fundit në Shqipëri, me një seri krimesh të rënda e përplasje mes bandash, ku në të gjitha rastet policia ka dështuar të arrestojë autorët, ngre pikëpyetje të mëdha jo vetëm mbi punën e drejtuesve të qarqeve, por dhe mbi punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>