Mjekë dhe infermierë të Urgjencës së Elbasanit janë vetëizoluar pasi i kanë shërbyer një 60-vjeçareje me koronavirus.
Pacientja me Covid-19 u konfirmua nga ISHP si e prekur më 22 prill. Ajo është bashkëshortja e pacientit tjetër të infektuar, 62-vjeçari i cili punon si shofer fasonerie.
Përpara se të testohej për virusin, 60-vjeçarja ka shkuar në urgjencë pasi kishte problem me zemrën.
Ajo është shtruar në urgjencë dhe është viziuar nga mjekët. Pas ekzaminimeve, pacientja është dërguar në shtëpi.
Stafi i spitalit që ka pasur kontakt me 60 vjeçaren është izoluar në shtëpi më 22 prill, pasi kanë mësuar se pacientja është infektuar me Covid-19.
Të gjithë mjekët kanë rezultuar të paprekur në testimin e parë, por do të qëndrojnë në karantinë deri pas testit të dytë konfirmues.
Deri më tani mbi 60 mjekë dhe infermiere janë prekur nga Covid-19, kryesisht si pasojë e kontakteve me pacientë të prekur.
Më shumë se 40 prej tyre janë shëruar.