Pas fasadës së misionit të fundit sipërmarrësve italianë në Shqipëri

Pas fasadës së misionit të fundit sipërmarrësve italianë në Shqipëri

Në Itali sapo janë kthyer 200 (dikush thotë 350) delegatët e  Misionit të Sipërmarrjes Italiane në Shqipëri të organizuar nën kujdesin e strukturës së qeverisë italiane për ndërkombëtarizimin e sipërmarrjes italiane, qëllimi zyrtar i të cilit ishte të sjellë kompani italiane në Shqipëri.

Pjesa më e madhe e delegatëve të pranishëm ishin drejtues të shoqërive të mëdha të Konfindustrisë apo të Shoqatave të Biznesit, drejtues të kompanive publike dhe ndërmjetës profesionistë në kërkim kontakteve për t’i shitur në Itali. Të pranishëm ishin edhe drejtues të shumë kompanive të punësimit dhe përfaqësues të disa kompanive të futura në tregun shqiptar, të cilët ishin në kërkim kontakteve politike për të zgjidhur problemet e tyre në Shqipëri.

Për të bindur të gjithë këta njerëz për të marrë pjesë u ishin dhënë një sërë dokumentash reth gjendjes ekonomike ne Shqipëri, të bazuara në të dhënat e qeverisë shqiptare, shumë prej të cilave kishin  pasaktësi, nuk përputheshin me njëra tjetrën apo ishin të gabuara, dhe që të gjitha të “rrumbullakosura” me marifet.

Misioni, i organizuar me kërkesë të qeverisë shqiptare, duhet të sillte në Shqipëri kompani të mëdha italiane për të hapur keëtu biznese (sipas qeverisë italiane), ose për të kryer investime të mëdha (sipas qeverisë shqiptare).

Në fakt, prej vitesh, kërkesa për investime të mëdha është shqetësimi kryesor i ministrave shqiptarë dhe diplomatëve italianë, të cilët të lodhur nga ankesat e vazhdueshme të sipërmarrësve të vegjël apo të mesëm që janë në Shqipëri — prej vitesh ankohen për mungesën e investimeve të mëdha italaine, sikur paratë e kompanive të vogla dhe të mesme të mos ishin mjaftueshë të mira për ta.

Delegatëve të biznesit italian iu recituan të njëjtat teza që recitohen prej gati tre dekadash— “porta e Ballkanit, “toka e mundësive”, “krahu i punës shumë i lirë”, “taksa të ulëta”— apo tezat më romantike—“vende vellezër”, “Shqipëria është Italia e vogël”—deri tek tezat tërësisht të trilluara—”zero burokraci”, “buxhete prej miliarda eurosh në dispozicion të investimeve publike”.

E vërteta është se kompani të mesme apo të mëdha italiane kanë ardhur në Shqipëri, por thuajse asnjëra nuk ka gjetur kushtet për të lulëzuar apo për të qendruar. Dhe ato pak që kanë qendruar dhe kanë gjetur diçka për të bërë, janë kthyer mbrapsht gati të gjitha për një sërë arsyesh që institucionet italiane dhe shqiptare refuzojnë t’i thonë e diskutojnë publikisht, por që duhet të jenë pika e nisjes për një analizë të thelluar nëse vërtet dikush do të zgjidhë problemet që i largojnë.

Jo rastësisht, pjesa më e madhe e kompanive italiane që lulëzojnë në Shqipëri janë ato që punojnë në sektorin e prodhimit, në veçanti në prodhimet e lehta për eksport. Ndërsa gati të gjitha kompanitë e tjera që kanë provuar të hyjnë në tregun vendas për të shitur produktet apo shërbimet e tyre, ose më keq në tregun koncesionar dhe atë të kontratave publike, janë shprehur se kanë hasur në qëndresë dhe vështirësi gati të pazgjidhshme, të cilat i kanë detyruar të largohen ose të dorëzojnë kuotat e tyre tek partnerët vendas, atëhere kur kanë ndonjë të tillë.

Dhe, në fakt, të njejtën gjë po përpiqen të bëjnë edhe shumë kompani që i kanë mbijetuar deri më: të shesin dhe të dalin nga një treg shumë i vogël, gati asfiksues me mënyrat e tij të fshehta, dhe mbi të gjitha shumë i pasigurt dhe i rrezikshëm.

Edhe me këtë qëllim, përfaqësuesit e “koncesionarëve italianë” janë vetëshpallur përfaqësuesit e vetëm të komunitetit sipërmarrës italian në Shqipëri, dhe nuk lejojnë askënd tjetër t’u afrohet blerësve të mundshëm të bizneseve të tyre, duke u përpjekur, gjithashtu, të shmangin me çdo kusht rrezikun e rrjedhjes së informacioneve që mund të dobësojë pozitën e tyre duke u treguar të ardhurve të rinj situatën e vërtet në të cilën gjendet Shqipëria. Ky qendrim i tyre është natyrisht shumë i pëlqyer nga qeveria, e dëshpëruar për investitorë të rinj, mundësisht të pamatur apo të painformuar për Shqipërinë.

Fatkeqësisht, kjo situatë është e favorshme edhe për  institucionet italiane në vend, sepse një kompani e madhe që ka probleme “mjedisore” kthehet në një klient interesant, sepse nisur nga nevoja që ajo mund të ketë për t’ju drejtuar për ndihmë institucioneve të vendit të saj, ajo bëhet e gatshme të sponsorizojë festa dhe aktivitete, të vërë në lëvizje politikanë dhe nënpunës të lartë të shtetit që duhet t’i ripaguajë kur të vijë rasti, dhe mbi të gjitha ato duhet të heshtin, t’i përulen dhe ti “puthin këmbët” shefit, ndërsa sipërmarrjet e vogla në vështirësi më e shumta që mund të bëjnë është të bezdisin me kërkesat e tyre dhe të bëjnë reagime jo të përshtatshme.

Kështu lindin misionet e sistemit sipërmarrës italian në Shqipëri, të paracaktuara për të nxjerrë në pah mundësi të paqëna investimi, falë një korri falls të qeverisë, i recituar, mbi të gjitha, nga ata që ka rënë peng të këtij sistemi: nga disa konsulentë apo profesionistë, italianë apo shqiptarë, gjithmonë të afërt me institucionet dhe gjithmonë të gatshëm të mburren me aftësinë e një ndërhyrje mercenare shpëtimi.

Nuk është rastësi që një nga temat e reklamuara gjatë Misionit ishte pikërisht thirrja hipokrite për bashkim të përfaqësimeve të shoqërive italiane në Shqipëri. Ndërsa vetë ata përfaqësues të bashkimit dhe të përfaqësive kokëforta nuk pranojnë t’i japin akses dhe hapësira shoqërive të tjera sipërmarrëse shpesh me aktivitet të konsiderueshëm në Shqipëri, por që nuk janë të gatshme të këndojnë në një kor gjithmonë e më shumë të stonuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>