Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha të mërkurën se nuk ka asnjë provë që e lidhin vaksinën kundër koronavirusit AstraZeneca me sëmundjet e dy personave të vaksinuar në Austri – njëri prej të cilëve vdiq pas vaksinimit.
“Aktualisht, nuk ka asnjë të dhënë që vaksinimi i ka shkaktuar këto kushte, të cilat nuk renditen si efekte anësore të kësaj vaksine”, tha EMA.
Ndërkohë kompania AstraZeneca tha se të gjitha vaksinat e saj iu nënshtrohen kontrolleve të rrepta dhe rigoroze të cilësisë dhe se nuk ka “konfirmuar efekte serioze anësore të lidhura me vaksinën”.
Të hënën autoritetet austriake pezulluan vaksinimin me AstraZeneca si një “masë paraprake”, për shkak të hetimeve për vdekjen e një personi dhe sëmundjen e një tjetri pas marrjes së dozës së parë.
Raportet kanë në qendër një grua 49-vjeçare për të cilën BASG tha “vdiq si rezultat i çrregullimeve të rënda të mpiksjes” dhe një grua 35-vjeçare “që kishte një emboli pulmonare është në rrugën e rimëkëmbjes”.
Autoriteti shëndetësor tha se aktualisht nuk ka “asnjë provë të një lidhje shkakësore me vaksinimin”, por që rezervat e mbetura të doyave nuk do të “shpërndahen për vaksinim”.