Intelektuali është fjalë e përdorur rëndom në gjuhën shqipe. Në fjalorin e Gjuhës Shqipe kjo fjalë shpjegohet si : intelektual m. sh. – Ai që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës e një formim të gjerë arsimor dhe merret kryesisht me punë mendore, njeri i punës mendore. Mbivlerësimi i punës mendore, i teorisë, i shkencës, i rolit të specialistëve e përgjithësisht i punës së intelektualëve dhe nënvlerësimi i aftësive krijuese, pra, intelektuali shihet si dikush i cili vuan nga ndonjë ves. Por, fjalori i gjuhës shqipe nga ana tjetër ka shumë kohë pa u përditësuar. Dhe kuptimi i cili i vishet fjalës nga fjalori i para viteve ’90 nuk para përkon shumë me kuptimin që shqiptarët e ditëve të sotme i japin fjalës.
Pra deri tani për ne intelektuali siç kuptohet me lexim të parë nga përkufizimi është dikush që nuk punon me forcën e trupit, pra ai nuk është punëtor, por ai përdor forcën e mendjes dhe është intelektual, sepse vë në punë intelektin Në kohët e sotme, ku makineritë kanë zëvendësuar punën fizike, puna intelektuale implikohet në doza të vogla në të gjitha raportet sociale dhe ekziston gjithmonë një funksion intelektual sociologjikisht i përcaktuar në një raport social të përcaktuar. Pra, mund ta themi të sigurtë që jo-intelektualja nuk ekziston.
Përpara se të ulesha për të shkruar këto rreshta pyeta disa miq për të më thënë emrat e tre a katër intelektualëve të kohëve të sotme, pak a shumë të gjithë përmendën autorë e shkrimtarë të famshëm. Të tjerë përmendën persona jo të njohur publikisht, por eruditë sipas tyre me njohje të thella në fusha të caktuara.
Pra, përgjigjia ndaj kërkesës « përmendni disa intelektual shqiptar të kohëve të sotme» dhe përballja me kuptimin e fjalës intelektual në fjalorin shqip-shqip, ndeshen me një hendek të madh midis tyre.
Le të vazhdojmë më tej, në botën tjetër, kuptimi i kësaj fjale është më kompleks. Një kuptim sociologjik fjalës intelektual u dha në Francë në vitin 1989. Një grup shkrimtarësh të asaj kohe si Léon Blum, Lucien Herr, Anatole France, Gustave Lanson, Marcel Proust, nënshkruan « Manifestin e intelektualëve ». Ky manifest erdhi si reagim ndaj çështjes Dreyfus, pas letrës së hapur drejtuar Presidentit të Republikës Franceze Félix Faure nga Émile Zola, në gazetën l’Aurore, « J’accuse ». Kjo letër e hapur shënjoi ndërhyrjen e personaliteteve franceze, shumë të njohur në fushën e tyre, në një padrejtësi që po bëhej ndaj dikujt.
“ Këta artistokratë të mendimit, treguan me vendosmëri se ata nuk mendonin qorrazi, si të tjerët” do ta cilësonte Maurrice Barrès angazhimin e profesorëve, shkrimtarëve, artistëve. Pra një nga kushtet e të qenit intelektual është të menduarit në mënyrë kritike dhe të paanshme ndaj asaj që po ndodh kundër dikujt apo kundër shoqërisë.
Nga ana tjetër në kulturën anglosaksone « intelektuali » në qenien e tij ngjan më shumë me përkufizimin që na vjen nga fjalori i gjuhës shqipe. Për intelektualët në këtë kulturë ka një lloj mohimi. Persona që në kultura të tjera do të ishin të njohur si intelektual në Britani refuzojnë të njihen si të tillë, dhe njihen me epitete si : « egghead », « highbroë » dhe i lidhin më shumë me daljet e shumta në media por pa substancë. Në librin e tij « Absent minds, Intellectual in Great Britain » Stefan Collini, ka analizuar rolin e kësaj qënies sociale në shekullin e xx dhe pse ajo ka mbetur në hije, duke dalë në përfundimin se megjithë teknologjinë e zhvilluar dhe aksesin e shumicës për të ndikuar në fushën publike nëpermjet mediumeve online, prapë është prezente nevoja për ‘intelektualët’.
Pra të qënit intelektual implikon pjesëmarrjen në fushën publike. Intelektuali është një aktor social angazhuar publikisht. Madje angazhimi i tij mund të jetë më gjithëpërfshirës dhe të mobillizojë opinionin publik për çështje me rëndësi publike, por edhe për raste të veçanta që mund të kthehen në model për drejtësinë publike, padrejtësinë publike, apo mosdrejtësinë publike.
Dy nga karakteristikat kryesore që i jepen kësaj qënie sociale janë drejtësia dhe e vërteta. Pra që intelektuali të jetë zë në fushën publike duhet që fillimisht premisa të tij të jenë dy karakteristika në thelb morale. « Problemi kryesor për intelektualin, nuk është të kritikojë përmbajtjet ideologjike, që janë të lidhura me disiplina të ndryshme shkencore, por të ndërtojë një politikë të re të së vërtetës. Pra, ndryshmi kërkohet në regjimin politik, ekonomik, institucional të prodhimit të së vërtetës » do të thoshte Foucault në intervistën « Funksioni politik i intelektualit ». Pra intelektuali nuk është vetëm njeri i teorisë por aksioni është një nga vetitë e tij të të qenit.
Nesë do të pyesim sot njerëz rastësisht në rrugët e qyteteve se cilët janë intelektualët shqiptarë bashkëkohës, shumë prej tyre do të na përmendinin njerëz që i shohin çdo ditë në ekranin e televizorit. Mund të themi se ndonjë ose asnjë nga ata që dalin dhe mbushin studiot televizive nuk i ka përmasat për ta mbajtur këtë fjalë në sensin që kësaj fjalë i është dhënë në rrjedhën e historisë. Një lloj i ri, qarkullon sot në studiot televizive, në konferenca dhe tavolina të rrumbullakëta. Personalisht nuk di t’i vendos ende një emër, sepse nuk janë as teknokratë plotësisht, as ekspertë plotësisht, as të këqinj plotësisht, as me sistemin plotësisht, as kundër sistemit plotësisht. D.m.th. pozicionimi pa interes dhe angazhimi në fushën publike për të mirën e përgjithshme sot është thuajse inekzistent. Revolta, si revolta e njeriut të revoltuar të Camus është ndjenja e formuar prej padrejtësisë, dhe njerëzit e konferencave dhe studiove televizive e pranojnë që ka padrejtësi, por nuk janë në asnjë moment të vetëdijshëm që duke e pasur këtë « fuqi publike » (e cila natyrisht që nuk i ka ardhur prej meritave të tyre në ndonjë fushë të caktuar, por nuk është kjo temë kryesore që po trajtojmë) të bëjnë diçka për t’u angazhuar në shoqëri. Të mbash pozicion dhe pozicioni në fushën publike të jetë koherent, i qendrueshëm, etik janë kushte kryesore të të ekzistuarit publikisht, në raste të tjera dikush mund të dalë në televizor, mund të jetë pjesë e tavolinave të rrumbullakëta, por nuk është intelektual, aq më pak publik, pra njeri i publikut.
Nuk është asapk moraliste të thuash që në kohet e sotme ndonjë ose asnjë nga dhjetra burrat dhe gratë që zënë hapësirën tonë publike në ekranet e TV kombëtare dhe jo kombëtare mbrojnë interesin e publikut. Po ashtu edhe dhjetra burrat dhe gratë që mbushin tavolinat e konferencave në fakt nuk bejnë asgjë tjetër veçse forcojnë pozita e veta dhe rallë ose asnjëherë nuk ndihmojnë kauzën për të cilën supozohet se « eksperti » është thirrur të japë ndihmë. Integriteti personal, dëshira për të bërë gjëra të vërteta dhe për të mirën e shoqërisë duken vlera që nuk ia ka zilinë askush prej kohësh.