Mungesa e mjekëve dhe infermierëve po ndihet më shumë në gjendjen e krizës Covid, e cila ka shtuar nevojën për personel mjekësor. Kjo mungesë është arsyeja kryesore pse nuk po dedikohet një tjetër spital për pacientët e sëmurë me Covid.
Të paktën 2064 infermierë shqiptarë kanë emigruar në Gjermani, nga viti 2016 deri në vitin 2018, sipas të dhënave të zyrës së statistikave të qeverisë gjermane.
Në vitin 2018, 18 për qind e mjekëve të huaj që punonin në Gjermani ishin shqiptarë — mbi 760 mjekë shqiptarë përbënin grupin më të madh të mjekëve të huaj në Gjermani.
Gjatë vitit 2019, numri i mjekëve shqiptarë u rrit me 21 për qind krahasuar me vitin 2018.
Këtë të hënë, Kryeministri Edi Rama e përballi për herë të parë largimin alarmant të mjëkëve nga vendi duke deklaruar se do të rrisë pagat e infermierëve dhe mjekëve nga janari 2021.
“Duam të realizojmë një rritje pagash që të jetë e konsiderueshme. Është një mirënjohje dhe vlerësim objektiv i detyruar, aq më tepër që Ogerta e sqaroi dje, ne kemi ndërmarrë masa të caktuara me kohë që mos t’i lëmë mjekët të largohen”, tha Rama.
Në të kaluarën, shpesh herë Kryeministri e ka ulur rëndësinë e emigrimit të mjekëve dhe të infermierëve shqiptarë jashtë vendit. Ai gjithmonë ka artikuluar tezën se kushdo është i lirë të udhëtojë dhe të punojë ku të dëshirojë në çdo vend të botës, dhe se kjo nuk e dëmton Shqipërinë.
Në 20 shkurt 2020, gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të mjekësisë, Rama i quajti të rreme deklaratat e opozitës së mjekët dhe infermierët po largohen nga Shqipëria në masë për të punuar jashtë.
“Në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh. …Vetëm gjatë 2018-2019 janë punësuar 400 mjekë të rinj, jo vetëm në moshë, por edhe të kthyer nga jashtë dhe 2 200 infermierë.
Shumëkush duke dëgjuar lajme, thotë nuk ka mjekë, nuk ka infermierë, ikën të gjithë. Sot që flasim janë 1500 infermierë në listë pritje, jo pas dyerve të partive, jo pas xhaketës së deputetit, jo në kërkim të krushkut apo kushëririt, por në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, pasqyrë transparente që nuk të lë të gënjesh”, tha Rama, atëherë.