Komisioneri evropian Johannes Hahn në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama u shpreh se BE nuk ka vënë asnjë kusht shtesë për hapjen e negocitave me Shqipërinë.
“Do të doja ta theksoja, nuk po fusim asnjë kusht të ri, është një proces i cili është zhvilluar me çdo vend tjetër kandidat. Na duhet të identifikojmë se ku qëndron vendi në legjislacionin e vetë krahasuar me vendet e BE”, iu përgjigj komisioneri Hahn pyetejes së Llazar Seminit, pas takimit “Shqipëri-BE negociatat për anëtarësim. Faza përgatitore”.
Por deklarata e Komisionerit bie ndesh me deklaratën e miratuar nga Këshilli Evropian në qershor të 2018. Këshilli Europian i vuri kusht të ri Shqipërisë uljen e emigracionit të paligjshëm drejt vendeve të BE-së.
“Këshilli i jep rëndësi të vecantë vazhdimit të përpjekjeve në uljen e numrit të azil kërkuesve të pabazë dhe gjithashtu i kërkon Komisionit të sigurojë se kjo do të merret parasysh në raport”— shkruhet në deklaratën e këshillit të evropës.
Gjithashtu, në deklaratë, për Shqipërinë, në ndryshim nga çfarë nuk tha Komisioneri Hahn janë theksuar kushtet si hartimi dhe zbatimi i një reforme zgjedhore, rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, krijimin e SPAK, prokurorisë anti korrupsion, dhe byrosë së hetimeve, përparimin e vetingut dhe ndjekjen penale të prokurorëve dhe gjyqtarëve të përjashtuar nga vetingu.