Emiratet e Bashkuara po ndihmojnë Serbinë me donacione për të përballuar pandeminë.
Një aeroplan me pajisje mjekësore nga Emiratet e Bashkuara Arabe mbërriti, të premten, në Aeroportin Ushtarak në Batajnicë, si donacion për Serbinë.
Presidenti i Serbisë Alkesandar Vuçiç, tha se ndihej i entuziazmuar për ndihmën.
Nuk ka një shifër të saktë të donacionit, po mediat serbe raportuan se janë dhënë disa miliona.
Emiratet e Bashkuara kanë dhuruar po ashtu 55 respiratorë, rezonancë magnetike, CT skaner, rëntgen mobil, katër aparate EKG, 100 shtretër për kujdes intensiv dhe 200 pompa të infuzionit.
“Do t’ia japim një goditje të fortë koronavirusit. Vetëm një rezonancë magnetike peshon 14.5 tonë. Paramendoni se çfarë ka zënë ky aeroplan. Këtë nuk e kemi merituar me asgjë, pos me miqësi. Edhe transportin e ka organizuar miku i Serbisë, sheiku Mohammed”, tha Vuçiçi.
Që nga fillimi i pandemisë, kjo është hera e dytë që Emiratet ndihmojnë Serbinë. Ndihma e parë u dha në 29 mars. Emiratet i dhuruan Serbisë 10 tonë ndihma, 13.750 uniforma mbrojtëse, 15.000 uniforma mjekësore, 500.000 dorëza, 30.000 pajisje për mbështjelljen e këpucëve, 20.000 maska dhe 6.000 dezinfektues.