Turqia do të dëshironte lidhje më të mira me Izraelin mirëpo politika izraelite ndaj palestinezëve është e “papranueshme”, ka thënë të premten presidenti turk Rexhep Taijp Erdogan.
Ankaraja ka mbajtuar anën e palestinezëve në konfliktin e gjatë në Rripin e Gazës dhe ka dënuar marrëveshjet e arritura së fundmi në mes të Izraelit me katër vende myslimane, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin, Sudanin dhe Marokun.
“Politika për palestinezet është vija jonë e kuqe. Është e pamundshme për ne të pranojmë politikat e Izraelit ndaj palestinezëve. Aktet e tyre të pamëshirshme janë të papranueshme”, ka thënë Erdogan para gazetarëve, transmeton Reuters.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit, dikur vende mike, janë tensionuar pasi Ankaraja ka dënuar vazhdimisht pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor dhe trajtimin që u ka bërë palestinezëve.
Të dy shtetet kanë dëbuar ambasadorët e njëra-tjetrës më 2018, pasi forcat izraelite vranë dhjetëra palestinezë në përleshjet në Rripin e Gazës.
“Nëse nuk do të kishte probleme të nivelit të lartë (në Izrael) lidhjet tona do të ishin shumë më ndryshe. Ne do të dëshironim që lidhjet tona t’i kishim në një tjetër pikë”, shtoi Erdogan.
Ministria e Jashtme izraelite nuk ka komentuar deklaratën e presidentit turk.