Presidenti Turk Recep Tayyip Erdogan ka mbrojtur ofensivën ushtarake kundër kurdëve në Siri duke kërcënuar Evropën se “do të hapë dyert për 3,6 milionë refugjatë sirianë nëse Evropa e cilëson ndërhyrjen turke si pushtim”.
Turqia nisi sulmet ushtarake të mërkurën, pasi Presidenti i SHBA-ve Donald Trump urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga zona. Ankaraja thotë se kërkon të krijojë një zonë të sigurt me distancë 480 kilometra nga kufiri turko-sirian, por kritika të forta janë ngritur për mënyrën se si po zhvillohet ky aksion.
Dhjetëra mijëra njerëz u shpërngulën nga banesat e tyre që të enjten, ndërsa sulmet thuhet se nuk kanë kursyer as zonat e banuara. Kryqi i Kuq raportoi 11 persona të vrarë vetëm të enjten, mes tyre edhe një fëmijë 11-vjeç, ndërsa më herët mediat turke kishin raportuar 109 ushtarë kurd të vrarë që prej nisjes së operacionit.
BBC, The Guardian dhe Euronews raportuan se operacioni ushtarak po ngre shqetësimin se mund të kalojë në pastrim etnik apo edhe rizgjim të influencave nga Shtetit Islamik.
Në SHBA një grup prej 29 kongresmenësh kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve për Turqinë. E njëjta gjë mund të bëhet edhe nga Bashkimi Evropian ndërsa sulmet ndaj kurdëve në Siri janë cilësuar si pushtim.
Mirëpo këto raportime kanë bërë që Presidenti turk të reagojë me kërcënime. Gjatë një fjalimi pasditen e së enjtes, thuhet se Erdogan ka kërcënuar Evropën se “nëse vazhdojnë ta cilësojnë kështu këtë operacion ushtarak atëherë Turqia do t’u hapë derën 3,6 milionë refugjatëve sirianë për të vazhduar më tej në Evropë”.
Në SHBA ka patur shumë kritika për administratën e Presidentit Trump, të cilin e akuzojnë se dha dritën jeshile për këtë sulm ndaj kurdëve.
Turqia mbështetet në këtë ofensivë edhe nga Luftëtarët Arab të Sirisë, disa prej forcave rebele të regjimit të Bashar Al Assad. Në vitin 2014 SHBA-të lidhën aleancë me forcat rebele kurde për të luftuar Shtetin Islamik, një organizatë terroriste që kishte shpallur krijimin e një shteti që shtrihej nga Iraku në Siri dhe kërcënonte perëndimin me sulme terroriste.
Popullsia kurde mendohet se varion nga 25 në 35 milionë dhe është një popullsi autoktone që shtrihet në malësitë e Turqisë juglindore, Armenisë jugore, Iranit perëndimor, Sirisë lindore dhe Irakut verior. Përpjekjet e tyre për pavarësi janë bllokuar nga luftërat e ndryshme dhe gjeopolitika e rajonit me dominancat e interesave dhe influencave të disa shteteve si Irani, Iraku apo dhe Turqia dhe Siria.