Erion Veliaj dhe sensi i shtetit

Nga Karl Kuçi
Erion Veliaj dhe sensi i shtetit

Gjatë këtyre ditëve shtypi dhe media kanë transmetuar një spektakël të turpshëm në shkelje të vazhdueshme të institucioneve të republikës.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj—zgjedhje personale e Kryeministrit Edi Rama, e ratifikuar me votën e qytetarëve të Tiranës—bllokoi me një qëndrim autoritar një nga rrugët kryesore të Tiranës për të mbajtur një protestë-konferencë shtypi, të populluar nga deputetë socialistë, zyrtarë të bashkisë dhe militantë socialistë, duke sulmuar institucionin që duhet të prezantojë unitetin e vendit, Presidentin e Republikës, dhe gjyqtarët.

Me një argumentim vulgar dhe thellësisht fyes për rolin kushtetues të Presidentit, Veliaj e përshkroi veten superior ndaj Presidentit duke qënë se ai është “i zgjedhur i popullit” ndërkohë që, sipas tij, Presidenti është njeri i pazgjedhur.

Zoti Veliaj sulmoi, gjithashtu, sistemin gjyqësor—i cili është tashmë shënjestra e preferuar e çdo sulmi politik dhe jo vetëm nga socialistët— duke kërkuar ta friksojë atë me turmën e tij të shitur, me qëllimin e vetëm për t’u dukur flamurtar i gjelbërimit dhe mbrojtës i interesave të popullit, për të balancuar kështu problemet në opinion qe do t’i shkaktojnë ndërtimet klienteliste që ka planifikuar të zbatojë në Tiranë së bashku me Kryeministrin Rama.

Shfaqje të tilla, të cilat po bëhen të përditshme, tregojnë se Zoti Veliaj nuk e ka të qartë se nëse është zgjedhur kryebashkiak, është zgjedhur për të sistemuar kazanët e plehrave, për të mbyllur gropat mbi trotuare, për të rregulluar ndriçimin në rrugë, për të përmirësuar transportin publik.

Nga ana tjetër, Zoti Veliaj duhet të hapë e të lexojë Kushtetutën e Republikës—mbi të cilën duket se është betuar pa e lexuar—për të zbuluar vendin e tij në renditjen e institucioneve të Republikës së Shqipërisë.

Nëse do ta lexojë, do të zbulojë se Presidenti i Republikës zë një kapitull të tërë të Kushtetutës, Pjesën e Katërt, me plot 9 Nene nga 183 që ka Kushtetuta, kurse sistemi i drejtësisë zë Pjesën e Tetë, Nëntë dhe Dhjetë, nga neni 124 deri në nenin 149.

Ndërsa kryetari i bashkisë citohet vetëm në paragrafin e dytë të nenit 109, i cili specifikon rolin ekzekutiv të këshillit bashkiak dhe në paragrafin e tretë të po këtij neni i cili specifikon kushtin e vendbanimit për t’u zgjedhur kryebashkiak. Indirekt, kryetari i bashkisë citohet nga Kushtetuta në nenin 69, si papajtueshmëri me funksionin e deputetit.

Kushtetuta është ligji i shtetit shqiptar, por duket se Zoti Veliaj ka tjetër vizion mbi shtetin dhe institucionet e tij—me sa duket, ai mendon se Shteti është ai së bashku me Shefin e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>