Erion Veliaj, djali i pastrueses që mbron interesat e oligarkëve

Nga Ermal Mulosmani
Erion Veliaj, djali i pastrueses që mbron interesat e oligarkëve

Në një nga daljet elektorale të ditëve të fundit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmendi vështirësitë e rritjes së tij, punën e nënës së tij si fasone apo pastruese, megjithëse me dy fakultete, dhe e cilësoi këtë fakt si premisë për sukses. Veliaj e përballi punën e pastrueseve apo fasonëve me parazitërinë dhe dëshpërimin e gërr-vërreve të “borgjezëve”, që kanë shtëpi në Rolling Hills apo janë rritur në bllok dhe thonë tani: “U bënë këta çunat e pastrueseve” duke ua dhënë turinjve të parëve:

“Pooooo, çunat e pastrueseve, gocat  e rrobaqepseve, fëmijët e hidraulikëve, kalamanjtë e elektricistëve, ata që janë rritur me halle do ta drejtojnë këtë vend. Jo ata që janë rritur në bllok, jo ata që përçajnë dynjanë, jo ata që menaxhojnë llogje, thashetheme, shpifje e helm për këdo që prek punë me dorë. Kush është rritë i ndershëm, me dinjitet, me djersën e ballit të vet, ata do ta trashëgojnë Shqipërinë.”

Sigurisht ky tekst është i pamjaftueshëm pa intonacionin, lojën aktoriale dhe duartrokitjet e vegjëlisë që po ngazëllehej nga kjo fitore e saj ndaj “borgjezisë” së Rolling Hills.

Ky diskurs i tij, alla komunist i 45-50-ës, ishte në vazhdën e profilit kitsch-ist rilindas, themeluesi i të cilit është ai vetë. Sipas atij modeli, filli retorik përshkruhet nga entuziasmi, fryma e masës, koha e re, optimizmi, duartrokitja. Ndërsa antiteza është borgjezia, rollinghillsat, gjakpirësit që bëjnë para pa punë, parazitët e vilave “që nuk do ta gëzojnë Shqipërinë”.

Por në fakt Erion Veliaj, sot, është përfaqësuesi më i fuqishëm i interesave të oligarkëve të Shqipërisë, është beniamini bash i atyre që shante në takimin me vegjëlinë.

Ai është kryeoligarku real i Tiranës. Ai që ndan tortën e tokës dhe lejet e ndërtimit. Ai që mbjell 5 pemë dhe pastaj, pas tyre, në zonë të gjelbër ndërton 10 pallate. Por ndryshe nga pemët, për pallatet ai nuk bën kronika. Ato nuk vijnë në ekranin e televizorit, ato i shohin veç banorët e zonës që u zihet fryma përditë. Veliaj është shumë më i rrezikshëm sesa Rama.

Metodat e tij lejfeniste por të sofistikuara, arrijnë të fshehin apo manipulojnë të vërtetat që kanë kundër dhe të zbukurojnë çdo lloj pune të parëndësishme. Retorika e tij populiste është mjaft e rrezikshme pasi arrin të ndikojë vegjëlinë përmes shitjes si njeriu i tyre.

Dhe më e keqja, pakkush nga ata që kanë aftësinë ta kuptojnë manipulimin mundet të reagojë. Dritaret e komunikimit me publikun janë të parat që u pushtuan përmes blerjes dhe tani shërbejnë si tellalle të propagandës së tij. Edhe ndonjë që tenton të shkruajë ndonjë gjë i mbyllet goja përmes pronarëve ose etiketohet si dele e zezë e mohues i punës së Kryetarit në daljet publike që përforcohen nga të gjitha dritaret e komunikimit publik dhe të paguarit e rrjeteve sociale.

Pamja e betoniereve dhe betonit ngjitur me Liqenin artificial
Ndërtesa që po mbijnë në zonën e Parkut të madh ngjitur me Unazën e re
Ndërtesa në zonën e Liqenit

Është e pamundur që brenda një shkrimi të japësh informacion për gjithçka ndodh në Tiranë pasi edhe burimet e informacionit janë të kufizuara. Tirana është e madhe dhe shpesh për të gjykuar mbi të mjafton të fokusohesh në një zonë të caktuar.

Të marrim për shembull zonën e Liqenit të Tiranës, aty ku unë banoj. Dendësia e ndërtimeve aty është e tmerrshme, popullsia vuan shumë për të dalë nga rrugët e ngushta e pa trotuare ku një makinë duhet të tërhiqet me dhjetëra metra për të gjetur një xhep ku mund të shndërrohet me tjetrën që po vjen. Asnjë shkollë nuk ka aty megjithëse numri i banorëve justifikon edhe dy të tilla. Banorët detyrohen të çojnë fëmijët në shkollën më të afërt që ndodhet me kilometra larg. Trafiku është i jashtëzakonshëm, për të dalë nga ferri i rrugës paralel me Unazën duhen të paktën 20 min në mëngjes. Nëse do kishte hallin e “vegjëlisë” z. Veliaj do të ndërtonte një shkollë për ata banorë.

Por çfarë bën zoti Veliaj? Ai jep komplekse pallatesh pafund në një zonë të gjelbëruar, ngjitur me Unazën e madhe, në krahun e saj të djathtë kur shkon për Sauk. Me dhjetëra hektarë gjelbërim, çuditërisht e ruajtur prej vitesh nga babëzia ndërtuese, jepen këto kohë. E gjithë ajo zonë që mendohej se do pyllëzohej ose të paktën të rrinte e gjelbëruar siç ishte, u betonizua. Çfarë është ky pyll betoni që po ngushton gjelbërimin e Parkut të Liqenit Artificial? Po as për një shkollë nuk gjeti në atë hapësirë kur gjithë ata banorë po robëtohen çdo mëngjes për të kapur orët e mësimit të fëmijëve duke rrezikuar mbërritjen në orar në punët e tyre?

A është kjo një kryqëzim interesash mes “Kryebashkiakut të vegjëlisë” dhe oligarkëve që ndërtojnë atje?

Duke qenë se jam frekuentues i rregullt i parkut të Liqenit, ndeshem çdo ditë me këtë pamje, një ndërtesë e re po hedh shtat brenda parkut (e kam qarkuar me të kuqe). Kam një pyetje për zotin Veliaj.

Është e vegjëlisë apo e oligarkëve kjo ndërtesë zoti Veliaj?

Shumë banorë të Tiranës kanë ndërruar vendbanim me idenë e ikjes nga zhurmat dhe kaosi urban dhe kanë mbërritë në periferitë e largëta por të qeta. Dendësia e ndërtimeve është e madhe në qendër të Tiranës dhe njerëzit qoftë për arsye kostoje qoftë edhe për qetësi zgjedhin të banojnë larg. Mirëpo edhe këtu panorama nuk ndryshon.

Shihni se ku është dhënë një leje ndërtimi (foto më poshtë). Banorët që blenë apartamentet në pallatin e vjetër u del përpara një mal betoni që ua sterron pamjen. Ata sot shohin t’u ngrihet as 4 m larg një pallat i ri, shumë katësh që përveç pamjes po ua merr edhe dritën. Duan të shesin por tashmë është vonë, askush nuk blen apartamentet e tyre.

Pallat në mes të një kodre me ullinj
Ndërtim i ri vetëm 3 m larg të vjetrit në zonën e Liqenit
Distanca nga pallati në pallat…

A është edhe kjo një rast kryqëzimi interesash me oligarkinë që merr nëpërkëmbë ”interesat e vegjëlisë”?

Raste të tilla ka me dhjetëra por unë u kufizova në një territor krejt të ngushtë të periferisë së Tiranës. Imagjinoni vetë se çfarë ndodh në qendër.


Postuar më parë tek Gazeta Express.

3 komente

  1. prela 22 Tetor, 2020 në 6:29 pm

    Gjatë kohës së komunizmit, në Shqipëri , në çdo shkollë të mesme apo në Universitete, përveç drejtorit administrativ kishte edhe një nëndrejtor ushtarak që dublonte organizatën bazë të PPSH në këto institucione për propogandën enveriste si komisarë politikë të ministrisë së mbrojtjes, por ndonjëherë edhe me mvartësi nga ministria e mbrendëshme.
    Të dy prindërit e Erion Velisë kanë qenë të punësuar në dy shkolla të mesme të Tiranës , si nëndrejtorë ushtarakë.
    Pas përmbysjes së regjimit komunist, këta farë komisarësh ushtarakë politikë u larguan nga sistemi arsimor.
    Është pikërisht në këtë kohë që “Lali ERi” mërgoi në Greqi me familjen.
    “Shiste fiq” në Greqi apo në Shqipëri e me këto para vajti në SHBA të vazhdojë studimet në një Kolegj, këtë nuk e dijmë, por dijmë se ai sapo u bë ministër në qeverinë e Ramës, pas disa muajsh bëri tre dasma , nga të cilat njerën në Kalanë e Gjirokastrës, e deklaroi paturp, se i kishte bërë me paratë e kursyera të pensionit të mamasë.
    Nëse për Ramën thuhet se e filloi zanatin e hajdutit duke shitur ikona të vjedhura në Korfuz e më vonë në urat e Parizit, Erioni e filloi këtë zanat duke vjedhur kompjuterin e dhuruar nga hollandezët për “shoqatën e pamvarur Mjaft” që për ta fshehur ja dhuroi vëllait të tij.
    Për hir të së vërtetës duhet pranuar që Rama si hajdut e gënjeshtar , përdor njëfarë mjeshtrie artistike, kurse Erioni këto “cilësi” i demostron shumë më primitivisht.

  2. Edi 25 Tetor, 2020 në 2:59 pm

    Ky vemje ka qene dhe mbetet. Ky eshte perfaqesues i mashtrueshve me te medhenj. Eshte fatkeqesi per tiranen qe ky ta drejtoj. Ky nuk eshte i zoti te mbledhe gruan e vet….. Eshte hajduti me i madh qe ka patur ndonjehere Tirana. Ja ka kaluar edhe Edi Rames.

  3. Balo Bënça 26 Tetor, 2020 në 7:25 am

    Shikoj ndonjëherë në Youtube video të vjetra…si ajo e Procesit të Veronës..
    Kur kontin Çiano po e shpinin te karrigia ku do hante plumbin,ktheu kokën pas dhe me një shikim të përhumbur shikonte diku…ai shikim sikur donte të thosh..”kush do më shpëtojë mua…?”
    Kjo është mënyra si vdesin frikacakët,nuk përballen me fatin e tyre por presin dikë qe t’i shpëtojë….
    Për analogji,Erionit do t’i shkonte roli i Çianos ,ndonëse nxitoj të krahasoj një Kont me një laparak,duke pritur t’a shpëtojë…Edi Rama…
    Vetëm kjo ide më shkrin së qeshuri…..

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme