Qeveria po gropos 150 milionë euro në malet e Mokrës për të na mbajtur të izoluar nga Europa

Nga Geri Selenica
Qeveria po gropos 150 milionë euro në malet e Mokrës për të na mbajtur të izoluar nga Europa

Sa kalon kufirin grek në Kapshticë gjendesh para një kantjeri gjigand ndërtimi, ku punohet 24 orë, çdo ditë të javës. Ajo është Autostrada Egnatia që fillon nga Stambolli dhe pasi përshkon gjithë Greqinë veriore, tashmë është duke mbërritur në Kapshticë. Ky është investimi më i madh në Ballkan: një mijë kilometra autostradë, një qind kilometra tunele, 1 660 ura e kanalizime.

Via Egnatia, rruga që lidhte që në lashtësi Romën me Konstandinopojën, ka qenë për shumë shekuj rruga kryesore për komunikimin mes popujve të lindjes e perëndimit, për tregtinë, për përhapjen e fesë, ideologjive, kulturave, mënyrave të jetesës.

E rindërtuar vitet e fundit, ajo është tashmë e vetmja autostradë e BE-së që ka mbërritur në kufirin shqiptar.

Një ndër mundësitë më të mira të qeverisë shqiptare për futjen e Shqipërisë në lojën globale të transportit dhe tregtisë do të ishte rijetësimi i rrugës Egnatia në territorin tonë, duke e vazhduar autostradën që ka mbërritur në Kapshticë deri në portin e Durrësit e më pas deri në Kroaci.

Nga ana proçeduriale qeveria shqiptare duhej ta kishte planifikuar ndërtimin e segmentit Elbasan–Kapshticë (130 km) në planin 5 vjeçar të Rrjetit Trans-Europian të Transportit (TEN-T Core Network) të financuar nga BE-ja.

Por kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi Qeveria Shqiptare është dakordësuar me BE-në që segmenti Elbasan-Kapshticë të jetë vetëm një “rrugë ndihmëse”, nga e cila segmenti Elbasan-Qafë Thanë do të ketë vetëm përmirësim të rrugës ekzistuese, ndërsa ai Pogradec-Kapshticë quhet i përfunduar.

I vetmi segment për të cilin ka kërkuar financim Shqipëria nga BE dhe që është aprovuar në “Planin 5 Vjeçar 2016-2020 (SEETO) për Zhvillimin e Transportit të Ballkanin Perëndimor” është Rruga Berat-Tepelenë.

Ndërkohë që qeveria nuk ka paraqitur as në listën e “Projekteve Prioritare” që do të përgatiten deri në vitin 2020 as autostradën Elbasan-Qafë Thanë dhe as të Qafë Thanë-Kapshticë, që do të përbënin vazhdimin në territorin tonë të respektivisht të Autostradës Egnatia dhe Korridorit 8 Pan-Europian—ky i fundit lidh Portin e Varnës në Bullgari me atë të Durrësit—që po ndërtohet nga Maqedonia deri në kufirin me Shqipërinë.

Pra, në Kapshticë e Qafë Thanë vijnë dy autostrada të rëndësishme europiane dhe botërore dhe qeveria Shqiptare nuk planifikon deri në vitin 2020 asnjë autostradë që të lidhet me këto segmente.

Në një mungesë totale vizioni, Qeveria po ndërton ndërkohë rrugën e pa nevojshme malore Qukës-Qafë Plloçë, me një karexhatë 44 kilometra. Për ndërtimin e saj qeveria ka marrë një kredi prej 152 milionë dollarë nga Banka Islamike e Zhvillimit dhe Fondi Saudit i Zhvillimit. Rruga do të ketë kosto mbi 3,5 milionë dollarë për kilometër.

Sipas ekspertëve, ndërtimi i saj pa një studim serioz inxhinierik, socio–ekonomik e mjedisor e bënë të pamundur kthimin e saj në autostradë me standarte si ato të Autostradës Egnatia.

Nga ana tjetër, duke anashkaluar Qafë Thanën ajo humbet mundësinë për t’u lidhur me Korridorin 8. Kjo gjë e bën të paleverdisshme rrugën Qukës-Qafë Plloçë, pasi distanca Qukës-Qafë Plloçë do të jetë më e shkurtër 4 kilometra nga drejtimi i Qafës së Thanës. Anashkalimi i Qafë Thanës për të shkurtuar vetëm me 4 kilometra distancën Elbasan-Korçë duket arsye absurde dhe miopi strategjike.

Por skandali më i madh inxhinierik është se rruga Qukës-Qafë Plloçë do të kalojë mbi 20 kilometra në kuota mbi 1000 metra e në rreth 5-6 kilometra në kuota 1 200-1 300 metra lartësi.

Ndërsa korridori rrugor që kalon nga Qafë Thana shmang maksimalisht kuotat e larta (kuota më e lartë në Qafë Thanë është vetëm 750 metra e në Qafë Plloçë 850 metra). Nivelet tejet problematike, në kuota mbi 1000-1300 metra të alternativës Qukës–Qafë Plloçë, nëpër malet e Mokrës, e bëjnë këtë zgjidhje të gabuar e të pajustifikueshm edhe nga pikëpamja e kushteve klimatike të zonës që do ta bëjnë rrugën të vështirë në mos të pakalueshme në dimër.

Nga ana tjetër, studimet tona paraprake nxjerrin më me leverdi gjurmën përgjatë liqenit të Pogradecit, ku ekspertet sygjerojnë 25 kilometra autostradë malore (Lin-Qafë Plloçë) në një kuotë 30 metra mbi nivelin e liqenit, për arsye mjedisore.

Corridor 10 vs ADRIA Corridor & EGNATIA hwy

Disa informacione ekonomike dhe gjeopolitike:

  • Rruga Athinë–Tiranë, me lidhje nga Kapshtica është 100 kilometra më e shkurtër se sa ajo nga Kakavija. Gjithashtu, kjo është rruga më e shkurtër për në Turqi.
  • Distanca Athinë-Tiranë-Trieste është 150 kilometra më e shkurtër se nga Korridori 10 (Athinë-Beograd-Trieste);
  • Distanca Stamboll-Tiranë-Trieste është vetëm 70 kilometra më e gjatë se Stamboll-Beograd-Trieste, pra është konkuruese;
  • Gjurma përgjatë liqenit të Pogradecit është më optimalja, pasi distanca Athinë-Pogradec-Shkup barazohet me distancën Athinë-Selanik-Shkup (705 kilometra). Kështu devijohet Korridori i 10.
  • Lidhja me Autostradën Egnatia në terma ekonomike do të thotë që Shqipëria bëhet pjesë e dy “Korridoreve Ndërkontinentale Kineze të Mëndafshit” që lidhin Europën me Azinë.

Rruga Qukës–Qafë u projektua, u miratua dhe u financua me kredi nga qeveria e mëparshme. Ekspertët i kanë sugjeruar me kohë qeverisë, që rruga duhet të braktiset fare. Më mirë të humbasim kaq sa janë harxhuar, se sa të humbasim 152 milionë dollarë dhe një mundësi për të bërë diçka më të mirë me këtë financim.

Qeveria duhet të vlerësojë dy projektet më strategjike rrugore:

  • Autostradën Elbasan–Qafë Thanë–Kapshticë (140 kilometram) që të lidhet me “Autostradën Egnatia” e me “Korridorin 8”.
  • Autostradën Tiranë–Lezhë–Ulqin pjesë e Korridorit Adriatiko Jonian.

Për këtë Qeveria duhet të kontraktojë kompani ndërkombëtare të klasit të parë në projektim autostradash, që të bëjnë urgjent një studim fizibiliteti për lidhjen e Autostradës Egnatia me autostradën Adriatiko-Joniane, që të ketë një projekt profesional për ta paraqitur në takimet me BE-në.

Por deri më tani, Qeveria është e vendosur të groposë mbi 152 milionë dollarë në malet e Mokrës me rrugën Qukës–Qafë Plloç”, duke e vënë veten në rolin e një sekseri të dorës së dytë, pasi “kremin” këtij projekti ja kanë ngrënë më parë.

Në tre vite, Qeveria ka dështuar duke mos bërë asnjë kilometër rrugë të re kombëtare e nuk po bën asgjë për një strategji afatgjatë transporti, si mjeti kryesor për rimëkëmbjen ekonomike.

Ajo ka dështuar në mënyrë spektakolare me Rrugën e Arbërit, madje edhe me segmente që ishin bërë gati nga qeveria e mëparshme.

Me ç’duket vizioni maksimal dhe arritja më e rëndësishme për qeverinë është Rruga e Lumit të Vlorës, me gjerësi 7 metra dhe me asnjë mundësi për t’u kthyer në autostradë në të ardhmen.

Transporti është dështimi më i madh i qeverisë, që tregon një mungesë të theksuar vizioni në këtë sektor dhe për ekonominë në përgjithësi.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>