Mbajtja e maskave mbrojtëse në ambientet e mbyllura është e domosdoshme për të ndaluar përhapjen e Covid-19 dhe për të mbrojtur qytetarët.
Kështu u shpreh Eugena Tomini, shefe e Survejancës e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në IShP, pyetur për vendimin e ministrisë për të bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave në vend.
Gjatë një interviste për ABC News, Zonja Tomini tha se maskat duhet të mbahen në çdo ambient të mbyllur, qoftë në vendet e punës apo në ambiente publike si qendra tregtare:
“Gjithë insituticionet publike, dhe jo publike që operojnë me hapësira të mbyllura dhe që nuk kanë hapësirën e duhur për t’u përcaktuar sipas niveleve të sigurisë si ambientet e hapura, detyrimisht do të mbajnë të gjithë maskën.
Një ambient i mbyllur pavarësisht lehtësimit të një sipërfaqeje për distancimin fizik nuk mund të lejojë që të mos mbahet maska. Brenda çdo ambienti të tillë maska do të jetë detyrim.”
Zonja Tomini sqaroi dhe rastet kur maska duhet mbajtur brenda në shtëpi:
“Në ambientin e shtëpisë duhet mbajtur një maskë për personat që janë në vetëizolim, që kanë shenjat minimale, mesatare dhe monitorohen nga strukturat përgjegjëse.
Apo një person që i shërben një tjetri që është me shenjua të dyshuara dhe është i vetëizoluar në shtëpi, sigurisht personi dueht të mbajë patjetër maskën për të gjithë periudhën e karantinimit apo 21 ditë për të cilin ai negativizohet.”
Një ditë më parë, ministrja Manastirliu njoftoi se shpejt mbajta e maskave do të bëhet e detyrueshme në Shqipëri.