Pak orë pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në fshehtësi vendimin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ka ardhur edhe reagimi i organizatës Europa Nostra në rrjetin Twitter:
“Ne jemi per trashëgiminë kulturore të Europës. Prandaj, edhe kundërshtojmë propozimin për prishjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar në Tiranë, një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara në Europë. Teatri është i mbrojtur nga legjislacioni vendas, si dhe shoqëria civile e ekspertët.”
Europa Nostra ka vënë në dijeni për këtë qendrim disa institucione dhe personalitete europiane, prej të cilëve kërkohet reagim, David Sassoli, President i Parlamentit Europian, Maryia Gabriell, Komisionerja europiane për Kulturën, Josep Borell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri.
Europa Nostra ka vënë në dijeni për këtë qendrim edhe Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, të cilët po ndërmarrin veprime për shembjen e Teatrit, si dhe Aleancën për Teatrin, që është në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Rikujtojmë se në fillim të vitit, Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra, profesor Hermann Parzinger, i dërgoi letër kryeministrit Rama, kryebashkiakut Veliaj dhe presidentit Meta.
Në letër, organizata deklaronte se “ishte sinqerisht e shqetësuar nga planet alarmante për prishjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, një sit trashëgimie me një rëndësi të madhe kulturore dhe arkitekturore”, vetëm për t’i hapur rrugë për plane zhvillimi një sipërmarrësi të madh privat.