Europa pezullon fluturimet me Britaninë e Madhe – Çfarë dimë deri tani?

Nga Exit News
Europa pezullon fluturimet me Britaninë e Madhe – Çfarë dimë deri tani?

Një numër në rritje i shteteve evropiane kanë ndaluar udhëtimin nga Britania e Madhe, si përpjekje për të ndaluar një lloj të ri të koronavirusit, i shfaqur në Britani, që të përhapet dhe më shumë.

Exit News sjell në mënyrë të përmbledhur çfarë dihet deri më tani:

Cilat vende evropiane kanë ndaluar fluturimet nga MB?

Franca, Gjermania, Italia, Zvicra, Portugalia, Belgjika, Austria, Bullgaria, Danimarka, Finlanda, Rumania, Suedia, Kroacia dhe Hollanda kanë thënë se do të ndalojnë të gjitha fluturimet që vijnë nga MB.

Republika Çeke ka vendosur masa më të rrepta karantine për njerëzit që vijnë nga Britania.

Të tre shtetet Balltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – kanë ndaluar të gjitha fluturimet e pasagjerëve nga MB. Lituania do të lejojë akoma fluturimet të nisen për në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Estonia dhe Letonia i kanë ndaluar dhe ato gjithashtu.

Letonia gjithashtu ka ndaluar trafikun e pasagjerëve me autobus dhe tragete nga dhe drejtë MB-së. Masat kufizuese do të hyjnë në fuqi të hënën dhe do të zgjasin deri në fund të vitit.

Në Ballkan, deri tani vetëm Maqedonia e Veriut ka vendosur të ndalojë të gjitha fluturimet drejt dhe nga Britania e Madhe.

Pse po ndodh kjo?

Një lloj i ri i koronavirusit është gjetur në qytetarë në të gjithë Londrën dhe jug-lindjen e Anglisë, duke detyruar vendet e BE-së të kufizojnë fluturimet hyrëse nga MB.

Kryeministri belg De Croo tha se ndalimi i fluturimit të Belgjikës ishte “si masa parandaluese”, duke shtuar: “Ka shumë pyetje në lidhje me këtë mutacion të ri.”

Ambasada gjermane në Londër shkroi në Tëitter se kufizimet e fluturimit ishin rezultat i “mutacionit të koronavirusit”.

Të shtunën, kryeministri britanik Johnson tha se nuk kishte “asnjë provë” që varianti i ri “shkakton sëmundje më të rëndë ose vdekshmëri më të lartë” por “duket se kalon shumë më lehtë”.

Ai shtoi se lloji i ri mund të jetë deri në 70 përqind më i transmetueshëm se varianti i vjetër i virusit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>