Fabrika e tullave në Laprakë ndot rëndë mjedisin, protestojnë banorët

Nga Gerard Gega
Fabrika e tullave në Laprakë ndot rëndë mjedisin, protestojnë banorët

Dhjetëra banorë të zonës së Laprakës në Tiranë, protestuan të dielën kundër kompanisë italo-shqiptare të tullave Edil-Centro, e cila qe gjobitur në muajin maj për shkelje të lejes mjedisore.

Banorët ankohen se kompania punon jashtë sandardeve duke ndotur ajërin me gazra të rëndë që lëshon nga furrat e fabrikës.

Ndotja po rëndon shëndetin e të moshuarve dhe fëmijëve. Për këtë banorët janë ankuar edhe herë të tjera, por që ankesat nuk kanë gjetur zgjidhje.

Mediat kanë raportuar se në muajin maj Inspektoriati i Mjedisit e kishte gjobitur kompaninë Edil-Centro me 500 mijë lekë për shkelje të lejes mjedisore. Inspektoriati madje kishte vendosur si masë edhe “pezullim aktiviteti deri në korrigjimin e shkeljeve të konstatuara”.

Megjithatë fabrika ka vazhduar punën dhe banorët kanë vënë re se asgjë nuk ka ndryshuar. Përveç protestës të së dielës, ata kanë paralajmëruar një tjetër protestë ditën e enjte.

Banorët në Laprakë duke protestuar kundër ndotjes që shkakton fabrika.

Kompania Edil-Centro shfrytëzon prej vitit 1996 ish-fabrikën që në kohën e komunizmit prodhonte beton. Ajo ndodhet 500 metra pas Spitalit Universitar të Traumës (ish-spitali Ushtarak) në Tiranë.

Sipas një drafti të vitit 2016 të vlerësimit të ndikimit në mjedis, dorëzuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), fabrika prodhon 9 lloje të ndryshme tullash muri dhe solete.

Furrat e fabrikës punojnë me qymur dhe solar. Tymrat aspirohen dhe nxirren jashtë oxhakut por në këtë draft kompania thotë se nxjerrjet e gazrave “janë brenda normave të lejuara” duke e cilësuar si masë për eliminimin e ndikimeve në mjedis “kontrollin periodik dhe kolaudimin e mjeteve”.

Në draftin e paraqitur AKM-ës, flitet gjithashtu për “rehabilitim” dhe “krijimin e mjedisit të përshtatshëm për mbjellje të mëtejshme pemësh dhe lulesh”, të cilat janë vendosur vetëm në mjediset e administratës dhe jo përreth fabrikës.

Zona në fjalë ndodhet pranë Lumit të Tiranës dhe konsiderohet si një nga zonat më të ndotura urbane të kryeqytetit.

Ndërkohë nga një vëzhgim i Exit.al i të dhënave financiare të paraqitura në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania nuk ka gjendje të mirë.

Për vitin 2018 ajo deklaroi vetëm 23 mijë euro fitime (2,8 milionë lekë) pasi realizoi 2,3 milionë euro (280 milionë lekë) shitje tullash, që krahasuar me shitjet e vitit 2017 ishin me rreth 500 mijë euro më pak.

Kompania është munduar të reduktojë humbjet e mbartura, të cilat i kalojnë 1 milionë eurot (149 milionë lekë), por duket se këto reduktime ajo ka vendosur t’i bëjë duke shkelur standardet dhe duke ndotur mjedisin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>